
Në mars të 2017-s, tre muaj para zgjedhjeve parlamentare të atij viti, Lulzim Basha firmoste me kompani amerikane lobimi një seri kontratash me vlerë totale prej 675 milionë dollarësh.
Kontrata e parë është firmosur me kompaninë “Muzin Partners” kundrejt një pagese prej 75 mijë dollarësh të ndarë në tre këste me nga 25 mijë dollarë. Në prill, Nick Muzin firmos një kontratë me Baron Offices, duke i ngarkuar kësaj zyre lobimin e PD-së për shumën prej 35 mijë dollarësh,
Në Shqipëri, PD ka deklaruar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve si shpenzime lobimi për 2017 150 mijë dollarë.
Por, dokumentet e dorëzuara nga kompania amerikane në Departamentin e Drejtësisë rezulton se pagesa që ka kryer Partia Demokratike është 675 mijë dollarë, pra 600 mijë dollarë më shumë.
Në deklaratat e kompanisë raportohet si pagesë më 24 mars 2017 nga “Biniatta Trade LP” shuma prej 150 mijë dollarë. Tri ditë më vonë, PD paguan për tarifa dhe shpenzime në vlerën e 25 mijë dollarë dhe e fundit raportohet në datë 9 qershor 2017 në vlerën e 500 mijë dollarëve po nga kompania “Biniatta Trade LP”.
Partia Demokratike dhe vetë Lulzim Basha janë bërë çorap me shifrat. Basha tha fillimisht se paratë nuk ishin ruse, duke pranuar në heshtje shumën e paguar. Pastaj tha se pagesat ishin kryer brenda kuadrit ligjor shqiptar pa dhënë shifra.
Prokuroria në Tiranë nisi hetimet dhe ashtu si me hetimet e Rrugës së Kombit, Bashën e shpëtoi procedura. Grupi i prokurorëve nuk ranë dakord për ta dërguar dosjen për gjykim me dy akuza të ngritura, ajo e falsifikimit të dokumenteve dhe e fshehjes së të ardhurave. Çështja u mbyll pas djegies së afateve për ta dërguar atë në Gjykatën e Lartë.
Lidhja me rusët
Biniatta Trade zotërohet nga dy kompanitë Asverro Corporation dhe Liminez Commerce Inc, të dyja të regjistruara në Belize, sipas letërporosisë së dorëzuar nga Skocia gjatë hetimit të Lulzim Bashës. Të dyja këto kompani janë aksionere të Babyonica, kompani e regjistruar në Londër me pronar rusin Evgen Sheremetjev.
Binniatta Trade drejtohej nga Gina Esparon, që del aksionere në kompaninë EuroImpex, së bashku me shtetasin tjetër rus, Mihail Slipençuk, ish-politikan i partisë së Vladimir Putinit.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.