Prapaskenat e përplasjes Çuçi-Nano, roli i amerikanëve dhe tentativa për t’u rikthyer policia te ‘Grupi Çiftelia’

30 August 2022, 17:40Investigim SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Prapaskenat e përplasjes Çuçi-Nano, roli i amerikanëve
Yuri Kim dhe Gledis Nano

Këmbëngulja e disa mediave për ta bërë fakt dorëheqjen e Gledis Nanos nga posti i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit nuk ishte lajm që buronte më shumë nga informacioni, se sa nga intrigat.

Pikërisht intrigat e ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi kanë qenë ato që kanë ushqyer një pjesë të mediave në mënyrë të koordinuar që të dilnin me artikuj mbi dorëheqjen e Nanos, se kur do të zyrtarizohej kjo dorëheqje, madje edhe të përcaktohej pasaardhësi i tij në krye të uniformave blu.

Përballë këtij keqinformimi të publikut, këto media nuk u tërhoqën as kur vetë Gledis Nano doli e deklaroi se ‘as e ka dhënë dhe as ka ndërmend që të japë dorëheqjen’. Kjo këmbëngulje, shtyu gazetarin dhe analistin Lutfi Dervishi që t’i krahasonte këto media me Nastradinin, duke shtjelluar më poshtë edhe një rrëfenjë me këtë personazh.

“I zoti punës tha: "as kam dhënë dhe as kam ndërmend të jap dorëheqjen!

Ngulmimi i disa mediave për ta patur lajm kryesor dorëheqjen të kujton historinë e Nastradinit me gomarin!

- Nastradin të lutem ma jep gomarin hua vetëm për sot se ta kthej nesër mëngjes!

- Ta kisha dhënë megjithë zemër, se ti e di nuk të mbaj gjë ty, por e kam dhënë borxh për dy javë në katundin fqinj!

Në këtë moment gomari, që ndodhej prapa murit, nis dhe pëllet me te madhe!

Hallexhiu shqyen sytë dhe hap gojën...

Në këtë moment Nastradini ia kthen:

- Kë beson ti mua apo gomarin?”, shkruan Dervishi.

E gjithë skema, pra përfshirë këtu edhe përhapjen e lajmit të rremë të dorëheqjes së Gledis Nanos duket se është ushqyer nga ministri Bledi Çuçi, që hodhi gurin e fshehu dorën edhe duke qarkulluar sulme të koordinuara mediatike kundër Nanos, apo edhe nxjerrë emrin e pasuesit të tij, Muhamet Rrumbullakun.

Pra, i gjithë synimi i Bledi Çuçit është, siç duket, rikthimi i policisë nën drejtimin e atij që njihet si “Grupi Çiftelia”. Ky grup mori këtë emër pas një fotoje ku shfaqen duke drekuar me Arben Frrokun, të dënuarin për vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj në ngjarjen e rëndë të ndodhur në 2013-n. Në këtë foto është edhe Muhamet Rrumbullaku.

Voxnews.al solli të hënën të vërtetën e të gjithë përplasjes së ministrit Bledi Çuçi me Drejtorin e Përgjithshëm, Gledis Nano, përplasje që burime të Vox News thanë se kulmoi në një debat me tone të ashpra në zyrën e ministrit dhe korridoret e Ministrisë së Brendshme.

Shkak i përplasjes është ndërhyrja e vazhdueshme e ministrit te kompetencat që ligji ja jep ekskluzivisht Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, sidomos te ato që lidhen me lëvizjet dhe emërimet në postet drejtuese të uniformave blu në Tiranë dhe nëpër rrethe.

Përballë kësaj ndërhyrjeje, Gledis Nano ka deklaruar në mënyrë të prerë se, ‘ose do të punonte pa i ndërhyrë ministri i Brendshëm, ose do të largohej nga ky post’. Burimet thonë se gjatë debatit është përmendur edhe fjala ‘kukull’ nga ana e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, duke nënkuptuar se nuk qëndronte në këtë post si kukull e komanduar nga ministri.

Në këtë përplasje me ministrin, drejtori Nano duket se ka pasur edhe mbështetjen e amerikanëve. Paraditen e së hënës, një makinë e ambasadës është parë që të futet në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe amerikanët kanë këmbëngulur fort që ai të vazhdojë në këtë detyrë.

Përplasja mes Nanos e Çuçit nuk duket rastësore, por një skemë e ministrit të Brendshëm për ta larguar nga ky post dhe në dijeni të kësaj skeme me shumë mundësi ka qenë edhe Kryeministri Edi Rama. Çuçi siç duket e ka bindur Ramën se policia nuk po bën punën e saj dhe si shembull ka sjellë rastin e punonjësit Jeton Lami, që për tetë muaj ka shoqëruar Ervis Martinajn dhe në këtë kohë nuk është marrë asnjë masë ndaj tij. 

Rama me gjasë ka miratuar skemën e ministrit Çuçi dhe ka qenë në dijeni të të gjithë situatës e përplasjes, por i vënë nën presionin e partnerëve ndërkombëtarë, sidomos të Ambasadës Amerikane, që i kanë dhënë besimin pa rezerva drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit ka urdhëruar Bledi Çuçin që të tërhiqet dhe të bindë Gledis Nanon që të qëndrojë në detyrë.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video