Hetim për Taulant Ballën/ A ka deklaruar pushimet 2 mujore në suitë presidenciale, tek resorti i Irfanit?

3 Shtator 2022, 16:44Investigim SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Në foto: Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë, Arben Ahmetaj dhe Taulant Balla

Për të dytën ditë radhazi, fadromat e IKMT-së, kanë zbarkuar në “Prestige Resort”, për të shembur disa pjesë të këtij resorti që ata i konsiderojnë si të ndërtuara pa leje, ndërsa pronari i News24 me leje.

Sipas një komunikate të Ministrisë së Brendshme “deri tani janë prishur 434 objekte të paligjshme në vijë bregdetare”. Mes këtyre objekteve të konsideruara abuzive, janë edhe dy pishina të resortit “Prestige” tek Mali i Robit në Durrës, të cilat kanë bllokuar 4.000 metra katrorë të plazhit.

Pak kohë më parë ishte prishur dhe muri i ndërtuar për bllokimin e lirshëm të lëvizjes në bregdet. Resorti është i botuesit Irfan Hysanbelliu, pronar i Focus Group, i përbërë nga News24, Balkanweb dhe Panorama.

Ajo që ra në sy ishte mungesa e reagimit të kreut të kreut të grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla i cili njihet për miqësinë e tij me pronarin e ‘Prestige Resort’.

Punonjëset e Prestige Resort kanë treguar episode nga vizitat e kryeministrit Edi Rama dhe kreut të grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla në Prestige Resort.

“Taulant Balla ka ndenjur me muaj, dy muaj te dhoma presidenciale, i kam shërbyer si pasha. Turp t’i vijë, Taulant Ballës të parit, Edi Ramës të dytit se ka ngrënë aty. Kjo është e keqe për ne, jo për shefin. Unë mbaj familjen. Kanë ardhur pushtetarë shumë, pa numër,” tha punonjësa e ‘Prestige Resort’

Ish-deputeti socialist tashmë drejtori i ‘Panorama Group’, Alfred Peza, në një komunikim për mediat u shpreh se ndërhyrja e IKMT në “Prestige Resort” ishte e paligjshme. Ai tha se figura të njohura të politikës kanë qenë të pranishme në këtë resort, duke përmendur mes tyre dhe kryetarin e Grupit Parlamentar të PS, Taulant Ballën.

“Taulant Balla këtë vend e ka pasur si shtëpinë e tij, vinte më shpesh se pronari i resortit dhe nuk e di ku është sot. Të gjithë janë për zbatimin e ligjit, por kur ky resort është me leje , dhe shkatërrohet në mes të ditës me urdhër politik pa zbatuar as një ligj. Kur kjo i ndodh pronarit të këtij resorti gjithkush nga qytetarët shqiptarë sot duhet ë ndjehet më i frikësuar sa sa dje”, tha Peza.

Por nuk mbaron këtu, në një intervistë shefi i kuzhinës së “Prestige Resort” tha se kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla ka qenë si i shtëpisë në këtë hotel, madje ka gatuar dhe në kuzhinë bashkë me të duke shprehu habi se si deputeti nuk tha asnje fjale per nderhyrjen e paligjshme te IKMT ne kete resort.

Po ku është me të vërtetë, Taulant Balla pse nuk ka mbajtur një qëndrim për këtë ngjarje, pse nuk u përgjigjet punonjësve të ‘Prestige Resort’ të cilat thonë që rrinte në ‘dhoma presidenciale, si pasha’.

Kësaj të fundit ai duhet ti jap llogari pasi është ligjvënës, në Kuvendin e Shqipërisë dhe paguhet nga taksat e shqiptarëve. A i ka deklaruar këto pushime Balla, që për një natë çmimi i dhomës presidenciale është më tepër se 300 euro nata?

Çfarë thotë ligji?

Deputetët ndalohen të kërkojnë ose marrin, drejtpërdrejtë a tërthorazi, dhurata me vlerë mbi 10 mijë lekë, favore, premtime ose trajtime preferenciale, të cilat jepen për shkak të pozicionit, nga një individ, person fizik ose juridik privat.

Detyrimet e deputetit kur i ofrohen dhurata, favore, premtime ose trajtime preferenciale?

Të deklarojë dhuratat e refuzuara ose pranuara, por të ndaluara, brenda 5 ditëve pranë regjistrit të posaçëm të Kuvendit.

A e ka shkelur ligjin kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla?

A duhet të nisin hetimet ndaj ligjvënësit, i cili ka shpenzuar mbi 20 mijë euro suitë në Prestige Resort, siç deklarojnë punonjësit?!

Sipas punonjësve dhe drejtuesve të këtij resorti Taulant Balla ka qenë klienti i ‘përkëdhelur‘ i tyre, por a ka paguar Balla për këto shërbime? Dhe nëse jo, çfarë favoresh i ka dhënë në shkëmbim deputeti socialist?

Të gjitha këto pyetje, marrin përgjigje vetëm nga një hetim i thelluar i SPAK...

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Video