SPAK me dy standarde / Drini Kryemadhi pse nuk përfundon në pranga si Alqi Bllako?!

1 Tetor 2022, 21:34Investigim SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Drini dhe Monika Kryemadhi

Tre herë ka ndërmarrë reforma të thella politika në drejtësi. Hera e parë prodhoi atë që quhet sot drejtësia e plepave, duke u nisur nga fakti që shumë gjyqtarë dhe prokurorë dolën nga kurse gjashtëmujore.

Hera e dytë ishte me reformën që ngriti prokurorinë dhe gjykatën e krimeve të rënda, që si rregull duhej të ndëshkonte krimin e organizuar dhe korrupsionin në nivelet e larta.

Hera e tretë është SPAK-ut, që për dy muaj mbush tre vite. Koha është e mjaftueshme për të bërë një bilanc për strukturën, që duhet thënë se ka trazuar ujërat, por duhet thënë gjithashtu që nuk ka ndjekur të njëjtin standard.

SPAK është një version më i përmirësuar në krahasim me Krimet e Rënda dhe drejtësinë e plepave, por sërish hijet dhe veset e dy reformave të para e ndjekin. Si shembull, ka dy persona që akuzohen se kanë përfituar para nga buxheti i shtetit përmes shpërdorimit të detyrës, korrupsionit, apo ndikimit te zyrtarët shtetërore.

Në të dyja rastet nuk është e njëjtja sjellje e SPAK. I pari është Alqi Bllako, ish-deputeti socialist i arrestuar për çështjen e inceneratorëve. I dyti është Drini Kryemadhi, që megjithëse i kanë shpërthyer në rrugë akuzat e mirëdokumentuara për favoret që ka marrë te koncesioni i kolaudimit duke shfrytëzuar pushtetin e së motrës dhe të Ilir Metës, nuk i ka hyrë gjemb në këmbë.

Alqi Bllako akuzohet se te çështja e inceneratorëve ka pasur konflikt interesit, duke punësuar edhe të atin. Po a nuk është i njëjti rast edhe ai për Drini Kryemadhin, vëllain e Monika Kryemadhit që u punësua në 2013 me rrogë thuajse 4 mln lekë te koncesioni i kolaudimit, madje si mekanik i thjeshtë?

Dëshmitë dhe dokumentacioni i siguruar nga Voxneës.al tregojnë se jo vetëm kaq, por Drini Kryemadhin askush nuk e ka parë në punë. Emrin e tij e ka lakuar edhe drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Transportit Rrugor, Blendi Gonxhe, madje edhe vetë Edi Rama.

Por, përballë këtyre akuzave SPAK ka ndjekur një tjetër standard, atë të heshtjes. Heshtja e prokurorisë së Posaçme nuk lidhet më shumë me mungesën e provave se sa me mungesën e vullnetit. Provat janë sheshit. Drini Kryemadhi u rehabilitua te kolaudimi si nder i kthyer nga kompania SGS për Ilir Metën, që në 2009 loboi dhe votoi koncesionin e majmë.

Në 2014, një mori transfertash shtojnë në xhepat e Drini Kryemadhit edhe miliona lek të tjerë, veç rrogës më të lartë se drejtori i koncesionit në atë periudhë. Voxneës.al ka treguar me dokumente se si shtetasi Nuri Peti, rezulton se ka disa transaksione me familjen e Drini Kryemadhit (të gjitha kalime fondesh nga Nuriu te Drini)

- më 26.05.2011 Drinit i është kredituar llogaria me 60.000 Euro. Përshkrimi i transaksionit është: Kalim fondi nga Nuri Peti.
- më 15.05.2012, Manjola Kryemadhit (bashkëshortja e Drinit) i kreditohet llogaria me 20.000.000 lek si kalim fondi nga Nuri Shaqir Peti.
- më 24/04/2017 Nuri Peti i jep borxh Drinit 40.000 Euro.

Nuri Peti, për të gjithë ata që nuk e dinë ende, është vjehrri i Drini Kryemadhit. Në dhjetor të vitit 2020, muaji në të cilin koncesioni i SGS-së përfundon Drini Kryemadhit i arkëtohet rreth 32 mln lek pagë mujore, pa asnjë arsyetim shtesë.


Këta janë shembujt që tregojnë dy standardet e SPAK-ut, ku njërin e trajton si të njërkës, e tjetrin si të nënës. Rasti është nga ata që minon besimin te drejtësia e re, aq e trumpetuar nga politika, mbështetur nga ndërkombëtarët dhe besuar nga shqiptarët. Sa për këtë të fundit, sondazhet e këtij viti kanë treguar rënie të besimit dhe një prej faktorëve është edhe standardi i dyfishtë i prokurorisë së posaçme.

Që të mos mbahet mend si drejtësia e plepave, apo drejtësia e ‘KÇK’-së, gjëja e parë që SPAK duhet të bëjë është që të ruajë një standard për të gjithë. 

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Video