Sot 31 vjet nga rrëzimi i bustit të diktatorit Enver Hoxha. Më 20 shkurt 1991 mijëra qytetarë shqiptarë të revoltuar përmbysën bustin e diktatorit Hoxha në sheshin “Skënderbej”, në Tiranë.
Rrëzimi i bustit të diktatorit u iniciua nga greva e urisë e ndërmarrë nga qindra studentë për t’i hequr universitetit emrin e tij. Ajo lëvizje shënoi edhe rënien e sistemit komunist në Shqipëri. Shqipëria u shkëput nga e shkuara dhe nisi një “epoke” të re, ajo e demokracisë.
Pamjet e mijëra qytetarëve të cilët me brohoritma hodhën në tokë bustin e diktatorit Hoxha bën xhiron në mediat e huaja, duke sjellë në fokus zhvillimet që po ndodhnin në Shqipëri.
Ata, që atë ditë të 20 shkurtit 1991 ishin në sheshin Skënderbej të Tiranës, nuk mund të mos e kujtojnë përshtypjen që bëri oshëtima e shurdhët e shtatores së diktatorit gjakatar, që binte përdhe dhe habinë, kur u pa se brenda ajo ishte bosh, ashtu si ideologjia e indoktrinimit bosh, që regjimi komunist përhapi me terror për vite të tëra. Tashmë, e vërteta doli në dritë.
E pastaj, shfrimi i lotëve e përqafimi ndërmjet njerëzish krejtësisht të panjohur – gjë e re edhe kjo, për ata qytetarë që regjimi komunist i kishte mësuar të ruheshin e të druheshin madje nga të afërmit, sepse kushdo mund të ishte spiun e armik. Shpresat e mëvonshme e pjesëmarrjet në manifestimet e shumta, kush nuk i mban mend? E fatkeqësisht, edhe zhgënjimet që pasuan, pavarësisht nga përparimet. Natyrisht, Shqipëria nuk është më në gjendjen e 30 vjetëve më parë.
20 shkurti është caktuar si dita e kujtesës kombëtare për martirët dhe viktimat e regjimit komunist.


