
Afro 3 javë pas aksidentit tragjik me 3 viktima dhe 2 të plagosur, Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) ka nisur ndërhyrjen në kthesën e Murrashit, në rrugën Elbasan–Librazhd.
Me një njoftim në Facebook, ARRSH ka njoftuar se do të bëhet përforcimi i pjerrësisë për të mbrojtur rrugën nga rënia e shkëmbinjve të përmasave të ndryshëm.
Viktima të aksidentit mbetën Elmi Keqa 53 vjeç, Elona Keqa, 35 vjeç dhe Elis Sulmataj 18 vjeç, ndërsa Elisiado Keqa, 10 vjeç dhe Ambra Mhilli, 20 vjeçe mbetën të plagosur. Automjeti me të cilin ata po udhëtonin u përplas me një automjet tjetër, ku shkaqet e aksidentit ishin rrëshqitja e gurëve nga mali dhe parakalimi i gabuar. Nga përplasja dhe lagështia në rrugë makina ku udhëtonte familja nga Kukësi përfundoi në lumë.