
Disa epidemiologë kanë bërë thirrje që masat kufizuese në fuqi të rishikohen me lehtësime, duke argumentuar se kulmi i valës së Omicron është kaluar dhe virusi nuk paraqet të njëjtën rrezikshmëri me variantet e mëparshme të tij.
Por, Ministria e Shëndetësisë mendon të kundërtën dhe ka vendosur që masat kufizuese aktuale të mbeten në fuqi deri më 1 mars.
Vendimi i MSH mban në fuqi ndalimin e lëvizjes nga ora 23:00 deri në orën 06:00 dhe kufizimin e tubimeve publike.
Gjithsesi, të dyja këto masa janë shkelur me të dyja këmbët dhe autoritetet kanë mbyllur njërin sy përballë këtij fakti.
Kufizimi i tubimeve të jo më shumë se 50 vetëve në mjedise të mbyllura, jo vetëm që është shkelur, por shkelja transmetohet edhe në ekrane, si në rastin e aktiviteteve politike që ka ndërmarrë Berisha e Basha.
Po ashtu, edhe jeta e natës vazhdon e pashqetësuar pas orës 23:00 dhe për ta provuar këtë, Ministrisë së Shëndetësisë do t’i mjaftonte një profil në Instagram për të ndjekur lidhjet live nga festat e lokaleve të mbushura përplot me njerëz.