
Pep Guardiola ka thyer heshtjen pas vendimit të komisionit të pavarur që e shpalli Manchester City-n fajtor për shkelje të rënda financiare, duke dalë publikisht në mbështetje të klubit ku kaloi një dekadë të karrierës së tij.
Ish-trajneri i Manchester City-t nuk ka zgjedhur të qëndrojë në heshtje pas zhvillimeve të fundit. Guardiola ka reaguar përmes një mesazhi drejtuar tifozëve të klubit, duke i siguruar se do të vazhdojë të jetë pranë tyre edhe në këtë periudhë të vështirë.
“Dua që çdo tifoz i Manchester City-t ta dijë se jam këtu, më shumë se kurrë. Kam qenë gjithmonë, jam dhe do të jem gjithmonë pas klubit tim, pronarit tim, presidentit tim, Ferran-it, lojtarëve, stafit, Enzo-s dhe ju, tifozëve tanë unikë”, shkroi Guardiola.
Më pas, spanjolli dha një tjetër mesazh të qartë: “Le të jem i qartë: do ta kalojmë këtë së bashku. Ju dua të gjithëve”.
Reagimi i Guardiolës vjen vetëm një ditë pasi komisioni i pavarur publikoi vendimin për çështjen që lidhet me 115 akuzat e ngritura ndaj Manchester City-t. Klubi u gjet fajtor për shkeljet financiare të konstatuara gjatë periudhës 2009-2018, ndërsa u shpall fajtor edhe për shumicën e akuzave që lidhen me mosbashkëpunimin me hetimin e Premier League.
Sipas gjetjeve të komisionit, City kishte përdorur marrëveshje të konsideruara “fiktive” me disa sponsorë, në atë që u përshkrua si një skemë financimi të kamufluar. Komisioni gjithashtu arriti në përfundimin se disa dëshmitarë kishin dhënë dëshmi që e dinin se ishin të pavërteta.
Manchester City ka kundërshtuar vendimin dhe ka bërë të ditur se do ta apelojë atë, duke këmbëngulur se ka prova për të mbrojtur qëndrimin e klubit. Sanksionet përfundimtare ende nuk janë përcaktuar.
Guardiola, i cili u largua nga Manchester City në fund të sezonit të kaluar pas një dekade në krye të skuadrës, ka qenë prej vitesh një prej zërave më të fortë në mbrojtje të klubit gjatë kësaj çështjeje.
Tashmë, edhe pas largimit nga pankina, ai ka zgjedhur të dalë sërish publikisht në krah të City-t, në një moment kur klubi përballet me pasojat e një prej çështjeve më të mëdha financiare në historinë e Premier League.