Shënim- Gazetari Adriatik Doçi ka ngritur sot një kallëzim penal në Prokurorinë e Posaçme kundër dy prokurorëve po të kësaj prokurorie. Sipas padisë së gazetarit, prokurorët Eneid Nakuçi dhe Klodian Braho kanë fshehur provat në çështjen e inceneratorit të Elbasanit. Dhe këtë e kanë bërë për të mbrojtur ish-numrin dy të qeverisë Arben Ahmetaj, ndaj të cilit, sipas gazetarit, nuk kanë nisur hetime pavarësisht provave.
E ndërsa kjo padi duhej të ishte një “dhuratë” për Partinë e Lirisë që e ka nxjerrë veten sikur ka qenë në pararojë të denoncimit për inceneratorët, për ironi kjo parti ka heshtur. Asnjë zyrtar i kësaj partie nuk ka reaguar. As Monika Kryemadhi që ka akuzuar me dhjetëra zyrtarë duke i akuzuar për shpërdorim detyre dhe korrupsion.
Por pse? Skema tashmë është bërë e qartë. Kryemadhi nuk reagon për të mbrojtur pikërisht Arben Ahmetajn. Në media është ngritur prej kohësh dyshimi se dokumentat për inceneratorët kanë ‘rrjedhur’ tek ish-LSI nga ish-ministri i Financave.
Kryemadhi është kujdesur në mënyrë të veçantë që të heqë Arben Ahmetajn nga të gjitha përgjegjësitë në të gjitha akuzat e saj të mëparshme dhe me heshtjen e sotme duket se ka vulosur bashkëpunimin mes tyre. Pikërisht për këtë arsye dyshohet se Rama e shkarkoi edhe si zëvendëskryeministër dhe e largoi nga të gjitha postet në PS.
Por me padinë e sotme të gazetarit Doçi del në skenë edhe një fakt tjetër më i rëndë: Hetimi i prokurorëve të SPAK ka qenë i paplotë, i mangët dhe i orientuar politikisht.
Për këtë arsye, gazetari Doçi i akuzoi sot dy prokurorët për katër vepra penale: shpërdorim detyre të kryer në bashkëpunim, veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës, zhdukjen e dokumenteve dhe publikim të informacioneve konfidenciale.
Me faktet e ditës së sotme janë vërtetuar edhe akuzat e Ylli Manjani. Ish-ministri i Drejtësisë deklaroi para disa ditësh se SPAK-u po arreston njerëz pa patur asnjë provë në lidhje me çështjen e inceneratorëve. Manjani akuzoi se SPAK-u arrestoi Lefter Kokën vetëm për interesa të Ilir Metës, pasi ish-ministri i Mjedisit kaloi te PS. Sot skema u bë e qartë./VoxNews