Rinia iku, të paktën...kemi ditën

8 Dhjetor 2022, 18:57Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Emigrante, mes tyre dhe te rinj shqiptare, duke u larguar ne Britani me gomone

Shënim: Prej 2009-s, 8 Dhjetori është shpallur si Dita Kombëtare e Rinisë dhe pushim zyrtar. Votimi në Kuvend në atë kohë u bë për të nderuar studentët e 1990-s, që u ngritën kundër regjimit komunist dhe e rrëzuan atë me thirrjet ‘E duam Shqipërinë si gjithë Europa’.

Por, a është Shqipëria sot si gjithë Europa? Në çdo renditje, anketë, dokument, analizë e raport vendi ynë renditet në bisht kur bëhet fjalë për shtetformimin, sundimin e ligjit, krimin, konkurrencën dhe demokracinë. Pra, praktikisht më shumë se tre dekada nga këto thirrje premtimi nuk është mbajtur.

Fajtorët kryesorë janë ata që kanë qenë në krye dhe kanë pasur në dorë vendimmarrjen, por kanë dështuar në mënyrë spektakolare. Konfirmimi vjen nga shifrat e të rinjve që kanë lënë vendin dhe anketat që tregojnë se të paktën 80 për qind e atyre që kanë mbetur në duan, apo po planifikojnë që të ikin. 

Sot bizneset nuk po gjejnë dot punonjës dhe po u drejtohen vendeve si Bangladeshi e Nepali, që po zëvendësojnë shqiptarët që largohen për një jetë më të mirë. Arsyeja është modeli i mbrapshtë e kaotik i zgjedhur për zhvillimin ekonomik. Në vendet e zhvilluara, ekonomia dikton vendimet e politikës, këtu te ne ndër vite politika dhe sherrnaja e ditës ka diktuar zhvillimin e ekonomisë.

Arsyeja është babëzia e korrupsioni. Këtë e konfirmon fakti që kompanitë me fitimprurëse sot e kësaj dite në vend mbeten ato që ushqehen me paratë e qytetarëve; pra me tenderat, koncesionet dhe PPP-të.

Sot kartelet diktojnë çmimet në treg janë të shtrira kudo. Te nafta, ku kulmi u arrit me bordin e gjoja transparencës, por që në të vërtetë kontrollohet nga oligarkët e karburanteve, te mielli, importet e plehrave kimike për fermerin, e deri edhe te prodhimi i betonit.

Të gjithë bien dakord se sa do të rrjepin qytetarin. Askush nuk konkurron dhe të gjitha këto shkelje bëhen nën hundën e autoriteteve, që ligjërisht duhet të mbrojnë qytetarin, por praktikisht shërbejnë për të rehabilituar në punë miqtë, apo mbushur xhepat me rrogë e para korrupsioni.

Këto janë disa prej arsyeve se pse të rinjtë sot nuk kanë entuziazmin e të rinjve të ’90-s. Ata sot nuk shohin të ardhme këtu dhe shprehja ky ‘vend nuk bëhet’ dëgjohet gjithandej.

Spitalet sot nuk kanë mjekë, nuk kanë pajisje. Por në shëndetësi janë dhënë katër koncesione të majme.

Shqiptarët sot janë populli më i varfër në Europë, por Ministria e Infrastrukturës ka dhënë 2.6 miliardë euro koncesione dhe do t’u vendosë trarët rrugës nga Fieri në Milot. Shqiptarët janë të varfër, por qeveria hedh tendera miliona euroshe për instalacione.

70 për qind e shqiptarëve që punojnë mezi mbyllin muajin me rrogën që marrin, sipas anketave të Komisionit Europian, ndërsa raporte të tjera të DASH, të Brukselit dhe të organizmave ndërkombëtare tregojnë për një nivel të lartë të korrupsionit legjislativ, ose e thënë më thjeshtë; ligje të kopsitura për një individ, a grup individësh dhe në dëm të interesit publik.  

Këta janë treguesit, që provojnë se nëse në ’92-in të rinjtë i largoi skamja dhe dëshira për liri, më pas shqiptarët dhe të rinjtë në veçanti i ka dëbuar keqqeverisja. Ajo i dëboi pas ’97-s, pas 2005 dhe pas 2013-s.

Sot bilanci i vetëm pozitiv i 8 Dhjetorit, veç lirisë që solli është edhe dita e pushimit që la, të paktën për administratën prej 2009-s.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Video