Mega-afera e Ballukut, rruga 1.3 miliardë euro Lekaj-Fier më e shtrenjta në rajon

5 Dhjetor 2022, 19:59Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Belinda Balluku

Një kilometër rrugë në Shqipëri, ato që janë dhënë me koncesion 35-vjeçar kushton më shumë se në vendet e Bashkimit Europian.

Qeveria shqiptare ka dhënë së fundmi me koncesion rrugën Lekaj-Fier, e cila është një rrugë nacionale ekzistuese me katër korsi. Në buxhetin e vitit 2022 kjo rrugë është projektuar me kosto në vlerën e 320 milionë eurove, për vetëm 46 kilometra. 7 milionë euro do t’i kushtojë qytetarëve shqiptarë, pa përfshirë këtu interesat bankare të koncesionarit, vetëm për zgjerimin e rrugës për korsitë e emergjencës dhe mbikalimet në këtë segment rrugor, ndërsa studimet e fizibilitetit nuk janë publike. Pas përfundimit të maturimit të kredive që do marrë koncesionari, çmimi për një kilometër rrugë mund të dyfishohet.

Ndërkohë një shembull tërësisht më i lirë vjen nga Greqia fqinje, e cila ka ndërtuar shumicën e rrugëve nacionale me fondet e para-anëtarësimit nga BE, ndërsa edhe tani si anëtare e Unionit, shteti helen vazhdimisht kërkon fonde për ndërtimin e autostradave. Në 2020-ën komisioni europian miratoi 300 milion euro fonde për ndërtimin e pjesës veriore të autostradës E65 nga Trikala në Greneva, që nuk është ekzistuese. Kjo pjesë e rrugës 70.5 km e gjatë është llogaritur për tu ndërtuar me 442 milion euro, 6.2 milion euro për km, shumë më lirë se ajo e jona. Por jo gjithçka mbaron këtu, kjo rrugë do të çajë malin ndryshe nga projekti në Shqipëri dhe ka  katër tunele në total.

Veprat që do ndërtohen në këtë rrugë janë tunele me gjatësi totale  900 metra, 31 ura / mbikalime, gjashtë nyje dalëse, dy Qendra Operimi dhe Mirëmbajtje, si dhe një stacion pagese. Ndërkohë në të gjithë gjatësinë e projektit do të ndërtohen zona parkimi dhe pushimi, si dhe një rrjet i ri rrugor dytësor për t’i shërbyer zonave fqinje. Pra, më shumë kilometra, më shumë vepra arti dhe mbi 80% e financuar nga Bashkimi Europian.

Ndërsa rruga Lekaj Fier, sipas atyre që kanë deklaruar drejtuesit e ministrisë së Infrastrukturës, do ndërtohet e re në vetëm 3.2 kilometra, do shtohen rrugë dytësore atje ku mungojnë dhe do bëhen tre ose katër nënkalime dhe sigurisht pika për të mbledhur gjobën e re për shqiptarët që do të kushton 1.3 miliardë euro në 35 vite./TCH

 

Video