Grushti ndaj Berishës, grusht ndaj tranzicionit

6 Dhjetor 2022, 20:00Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Sali Berisha pas sulmit ndaj tij

Shënim: Grushti ndaj Sali Berishës në protestën e thirrur prej tij në të njëjtën ditë që në Tiranë mbahej ngjarja, ndoshta më e rëndësishme e viteve të fundit për integrimin e Shqipërisë në BE, pati disa anë.

Jo të gjitha këto anë shkojnë paralelisht me njëra-tjetrën.

Ana e parë është ana reale, njerëzore, e dënueshme dhe e ndëshkueshme moralisht dhe ligjërisht nga të gjithë.

E dyta është ana simbolike. Kjo nuk shkon paralelisht me të parën. Simbolikisht, grushti ndaj Berishës përfaqëson shfryrjen e masës më të madhe të shqiptarëve ndaj politikës në 30 vite.

Është simboli i revoltës ndaj lojërave të pista, që politika ka lozur për tre dekada ndaj qytetarëve dhe ku Sali Berisha ka qenë protagonist kryesor i tyre. Protagonist i piramidave, i ’97-s, Gërdecit dhe i 21 janarit.

Për të gjitha këto, grushti është ndëshkimi i vetëm që Sali Berisha ka marrë, megjithëse mënyra se si u dha ky dënim në vetvete është i ndëshkueshëm.

Ana e tretë grushti mund të jetë simbolikisht fundi i tranzicionit, nisur nga reagimet që pasuan. Pa i hyrë në detaje mbi ‘porositësit’ e sulmit, i ardhur në të njëjtën ditë me samitin BE-Ballkani Perëndimor si rregull duhet të shkaktonte reagime të fuqishme, aq më tepër që para mbajtjes së protestës BE kishte theksuar se e drejta për t’u tubuar duhej respektuar nga të gjithë.

Por, reagimet ishin të vakta. Ambasada e SHBA dënoi aktin, por në reagimet e shpërndara për mediat fliste për ‘një deputet të Kuvendit të Shqipërisë’, duke mos ja përmendur emrin, ashtu siç edhe Rama në reagimin e shpërndarë përmes Zyrës së Shtypit.

Mbështetja që mori Berisha ishte nga rivalët brenda partisë dhe nga aleatët…të paktën deri më tani.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Video