Qeveria është duke luajtur shumë pisët me ndërtimin e ujësjellësve për investitorët strategjikë, atë të cilët morën qindra hektarë tokë në bregdet, ndërtuan vila, bare, restorante private, nuk paguajnë taksa për 10 vite dhe vetë taksat e qytetarëve të thjeshtë do të shkojnë në atë zonë, duke u ndërtuar rrugë, kanalizime, t’u pastrohen plehrat etj. Prej më shumë se 18 muajsh, banorët e zonës së Tragjasit në Vlorë kanë dalë me të drejtë në protestë, duke kundërshtuar nismën e qeverisë për t’u marrë ujin dhe t’ua çojnë te resortet e oligarkëve në Palasë, Dhërmi e Himarë.
Ata kundërshtojnë projektin 8 milionë euro, të fituar nga firma “Gjoka”, ndërkohë që edhe më parë, qeveria ka shpenzuar të tjera para’ për ujësjellësa, disa prej të cilëve kanë dështuar, ndërkohë që sytë janë hedhur nga Lumi i Vlorës dhe nga zona e Dukatit e Tragjasit, krahina autoktonte vlonjate, disa prej të cilave janë braktisur nga mungesa e investimeve. Dhe me një mori problemesh, qeveria do t’u marrë edhe ujin, për t’ua çuar vilave private të oligarkëve dhe strategjikëve.
Pas protestave dhe kundërshtive, qeveria ka vijuar një lojë të pisët me këta banorë, të pamoralshme dhe tepër fyese. Disa muaj pasi vlonjatët u ngritën kundër këtyre investimeve, qeveria ka hapur një tender për të ndërtuar një ujësjellës në zonën e Tragjasit, një fshat me tradita, i pozicionuar sipër zonës së Radhimës dhe Orikumit, me një pamje mjaft të bukur, por të harruar prej vitesh. Synimi i të gjithëve ka qenë marrja e pronave të banorëve vendas, gjithashtu edhe të burimeve ujore, teksa tashmë qeveria është “kujtuar” se edhe atje ka jetë!

Normalisht një lojë e pistët, ose më saktë; do t’u jap ujë, por më jepni ujin t’ua çoj strategjikëve dhe oligarkëve. Sipas dokumenteve që ka hulumtuar Vox News, ditët e fundit është hapur objekti i procedurës së prokurimit “ndërtim rrjeti shpërndarës ujësjellësi për fshatin Tragjas dhe rehabilitim dhe vënie në funksion të rrjetit të KUZ fshati Tragjas”.
Autoriteti kontraktues është shoqëria Rajonale Ujësjellës Kanalizime Vlore Sh.A, ndërkohë që fondi limit për këtë procedurë shkon në 159.605.649 lekë. Tenderi vjen si “blerje” e banorëve që të lejojnë t’u merret uji për resortet matanë Llogarasë, teksa vitin e kaluan banorët janë përplasur me firmën që po kryen punime ashtu edhe me policinë
Banorët shprehen se nuk do të lejojnë shtrirjen e tubacioneve për marrjen e ujit në burimin e Izvorit, pasi ekonominë familjare e kanë bazuar pikërisht në këtë burim, me të cilin vadisin tokat bujqësore. Punimet për ndërtimin e ujësjellësit të ri kanë nisur në korrik 2024, ndërkohë që ujësjellësi i ri parashikohet të ketë depon në Tragjas dhe përmes tubacioneve do kalojë në tunelin e Llogarasë. Ky investim me vlerë rreth 8 milionë euro bëhet për të furnizuar me ujë të pijshëm zonën e bregut, Palasë, Drimadhes, Dhërmi.
Pas këtyre protestave në muajin mars të vitit 2025 reagoi edhe kryeministri Edi Rama. “Është bërë projekti, i cili synon që edhe vetë zona atje, vetë banorët, shtëpitë të cilat furnizohen me pikatore sepse sistemi i ujësjellësit është i ndërtuar në vitit '50-'60. Banorët kanë bërë investime marramendëse personale për të hapur puse, ndërsa ne e shohim një zhvillim të madh për turizmin dhe transformimin e atyre shtëpive. Edhe kanalizimet që mungojnë janë pjesë e projekteve, do bëhet ujësjellësi, kanalizimet, do ndërtohet ujësjellësi që do furnizojë dhe zonën e poshtme” tha ai në atë kohë.
Rama tha se është kërkuar nga ana e tij konfirmimi nga ekspertët. “Ky është një burim dhe vihet në dispozicion të njerëzve duke mos cenuar të drejtën e askujt që ka të drejtë në atë burim. Nuk e kuptoj mbi ç’bazë diskutojnë” pohoi në atë kohë, teksa duket se fjala e tij është më shumë urdhër sesa diskutim, pasi si do t’ua mbyllnin gojën banorëve vendas?!

Në dhjetor të vitit 2024, Vox News publikoi një investigim me titull “farsa 8 milionë euro për ujin e Strategjikëve, ‘Gjoka’ fiton tenderin e paracaktuar”. Në atë kohë kishte dyshime se fituesi dihej në momentin e shpalljes së tenderit. AKUK-u ngriti një skemë, ku fillimisht studioj veprat e marrjes dhe vendosjen e tubacionit. Në dokumente shkruhet qartë se uji do të merret në Tragjas, Orikum, dhe më pas do dërgohej me stacione pompimi në Palasë, Dhërmi, Jalë, etj. Por, “rruga” kalon nga Tuneli i Llogarasë dhe këtu i i gjithë tenderi bëhet nul.
Tuneli i Llogarasë u ndërtua nga një konsorcium firmash, turke dhe shqiptare. Pala shqiptare kryesohej nga firma “Gjoka”. Ndërkohë, në dokumentet e tenderit ishin vendosur klauzola për “punë të ngjashme”, teksa e vetmja firmë që ndërtoi tunelin që kishte punë të ngjashme për ujësjellësa ishte “Gjoka”. Një skemë e pastër, ku fituesi dihej nga të gjithë. Madje, edhe dokumentet e bëra nga AKUK-u vetëm sa i janë bashkëlidhur kësaj firme.


Në dokumentet e tenderit shkruhet se vendndodhja e punimeve zhvillohet në fshatin Tragjas, ku është vepra e marrjes, përgjatë rrugës së re koncensionare Orikum - Dukat, në afërsi të fshatit Dukat, në malin e Llogarasë si dhe në tunelin e ri të Llogarasë”.
E njëjta firmë, “Gjoka” u shpall fituese të një tjetër tenderi për furnizimin me ujë të zonave bregdetare Zonat e Investimit Strategjik Draleos, Drimadhes dhe Dhërmi, të Bashkisë Himarë, Faza II. Ajo po zbaton projektin me vlerë rreth 4.2 milionë euro përfshirë TVSH-në. Pra, të dy tenderët, me vlerë rreth 12 milionë euro të fituara nga firma “Gjoka” dyshohet se janë të paracaktuar.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016