Impianti fantazmë që vijon të “hajë” para – Tender 200 mijë € për të mbuluar gropën 100 milionë € për ujërat e zeza të Tiranës

30 Qershor 2026, 23:50Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Foto montazh - Vox News

Çdokush që ka kaluar apo kalon drejt Kombinatit në Tiranë do të shohë anës rrugës disa struktura me beton, në distanca nga njëra tjetra, të cilat janë atje prej shumë kohësh, në pritje të përfundimit të punimeve. Ato janë “gropat” e lëna në mes të rrugës, të një projekti që ka kushtuar më shumë se 100 milionë euro, ku do të mundësohej që ujërat e zeza të kryeqytetit të mos derdheshin në Lanë e më pas në Lumin e Tiranës dhe Ishmit, para se të përfundonin në Detin Adriatik, por të trajtoheshin në një impiant të vendosur në Mëzes.

Një nismë e domosdoshme, duke parë dendësinë dhe rritjen e pamatë të ndërtimeve në Tiranë, me kulla dhe pallate që ngrihen çdo muaj, ku ujërat e zeza të tyre derdhen në mes të kryeqytetit, duke u bërë një rrezik epidemie, por që asnjë qeveri nuk i ka dhënë trajtim përfundimtar. Si në çdo punë publike, nga ato më jetiket për popullatën, edhe Impianti i Trajtimit të Ujërave është lënë përgjysmë, ku firma që ka kryer punimet pretendon se nuk është paguar, ndërkohë që qeveria shqiptare thotë se “aq ka qenë fondi”.

Natyrisht, ashtu si në kantieret e tjera, shteti duhet të veprojë dhe nëse projekti është lënë përgjysmë nga ekzekutivi, atëherë drejtësia të thojë fjalën e saj, nëse përgjegjës për këtë abuzim janë zyrtarët shtetërore që kanë firmosur apo përgjegjësia bie mbi firmën private. Fakt është se ujërat e zeza vijojnë të hidhen në Lanë, të kalojnë në mes të qytetit me aroma të rëndë dhe më pas të përfundojnë në Detin Adriatik, ndërkohë që Impianti në fjalë ka zënë ndryshk, pavarësisht se ka kushtuar një “qerre me para’”, teksa sërish institucionet shtetërore vijojnë të mbulojnë gropat, gjithmonë në kurriz të taksapaguesve.

Impianti fantazmë që vijon të “hajë” para
Faksimile: Tenderi i hapur nga Agjencia Kombëtare e Ujësjellës Kanalizimeve për mirëmbajtjen e kantierit të Tiranës së Madhe

Gjatë projektimit, Impianti u quajt “Tirana e Madhe”, pasi synonte që të përpunonte mbi 90 % të ujërave të zeza të Tiranës, sidomos ato urbane, ndërkohë që institucioni përgjegjës për letrat është Agjencia Kombëtare e Ujësjellës Kanalizimeve. Një institucion varësi i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, i cili ndër vite ka ndryshuar disa drejtorë, disa nën hetim, të tjerë deputetë apo në poste të ndryshme shtetërore.

I njëjti institucion, sipas dokumenteve që ka hulumtuar Vox News, bën vazhdimisht tendera për mirëmbajtjen e atij kantieri, pra sërish u fut dorën në xhep shqiptarëve të varfër, të cilët paguajnë çdo vit një faturë të majme, pavarësisht se nuk u ka shërbyer asnjëherë. AKUK-u ka hapur ditët e fundit tenderin me objekt të prokurimit “mirëmbajtje e kantierit të Tiranës së Madhe”, me një fond limit 19.198.300 lekë, ose me kursin e sotëm rreth 200 mijë euro.

Në letrat e kësaj Agjencia shkruhet se bëhet fjalë për “shërbime mirëmbajtjeje”, “shërbime riparimi”, “mirëmbajtjeje dhe shërbime të tjera të lidhura me rrugët dhe pajisje të tjera”. Një tender me këtë objekt bëhet vit pas viti, duke fryrë vit pas viti koston, ndërkohë që kalimtarët apo ata që shkojnë në Mëzes, do të shohin veçse një kantier të pambyllur dhe disa gërmadha, kur në fakt tubacioni nëntokësor duket të kalonte nga “Pallati me Shigjeta”, në drejtim të rrugës së Kavajës, për të përfunduar në Kombinat dhe më vonë në Mëzes, në një rrjet nëntokësor ujërash, nga ata që ka në çdo metropol apo në qytet të madh Europian.

Projekti ka nisur 12 vite më parë, me një kosto fillestare rreth 70 milionë euro, ndërkohë që deri më tani janë shpenzuar më shumë se 100 milionë dhe është në atë gjendje, të përshkruar më sipër. Firma që bëri ato punime ishte “Joint Venture Dondi & Kubota”, një bashkim i dy kompanive të njohura në fushën e ndërtimit të impianteve, sidomos në Itali dhe tjetra për tubacionet dhe valvulat me origjinë në Japoni.

Kompania duhet të merrte përsipër përfundimin e impiantit që do të shërbente për përpunimin e ujërave të ndotura urbane në një afat 4-vjeçar, por që prej vitit 2018 nuk janë bërë asnjë punim në atë kantier. Konflikti ka shkuar edhe në dyert e gjykatave ndërkombëtare të Arbitrazhit, ku sërish shteti shqiptar humbi dhe kostoja u rrit, ndërkohë që tenderët e fundit të mirëmbajtjes veçse i shtojnë zvarritjen këtij kantieri, pa i dhënë një zgjidhje përfundimtare.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016


Video