Teksa protestat kundër qeverisë kanë hyrë në javën e tyre më intensive, mes turmës së protestuesve është shfaqur vazhdimisht një figurë e huaj me mikrofon dhe kamerë në dorë.
Ai quhet David Davato dhe videot e tij po qarkullojnë me shpejtësi në Instagram, Facebook dhe YouTube.
Protestat e fundit kanë mbledhur mijëra qytetarë në Tiranë dhe qytete të tjera, me kërkesa që variojnë nga çështje mjedisore e territoriale deri te kritikat ndaj qeverisë dhe kërkesat për ndryshim politik.
Por kush është ky i huaj që po interviston protestuesit shqiptarë?
Nga rrjetet sociale në bulevardin e protestës
Duke analizuar profilet e tij në Instagram, Facebook dhe YouTube tregon se Davato nuk është gazetar i ndonjë medie të njohur ndërkombëtare.
Aktiviteti i tij online është i ndërtuar rreth markës personale "David Davato", ku publikon intervista spontane, udhëtime dhe reagime qytetare.
Në Shqipëri ai është fokusuar pothuajse ekskluzivisht te protestat dhe pakënaqësia qytetare.
Në videot e publikuara, pyetjet e tij prekin tema si:
1- emigrimi i të rinjve;
2- korrupsioni;
3- besimi te politika;
4- protestat kundër qeverisë dhe ardhmja e Shqipërisë.
Këto janë pikërisht temat që dominojnë edhe protestat e zhvilluara gjatë javëve të fundit në Tiranë.
Çfarë tregojnë tre profilet e tij në rrjetet sociale?

Platforma ku publikohen më shpejt videot nga terreni. Dominon formati i intervistave të shkurtra dhe reagimeve spontane të protestuesve.

Përdoret kryesisht për shpërndarjen e videove dhe zgjerimin e audiencës. Shumica e materialeve janë ripostime nga platformat e tjera.
YouTube

Përmban videot më të gjata dhe dokumentimin e plotë të bisedave me qytetarët. Ajo që vihet re është se ky personazh është fokusuar tek protesta dhe po i jep jehonë, duke i bërë video sa me virale.
Pyetja që duhet të bëjnë autoritetet: Pse një vloger i huaj që më parë merrej me udhëtime dhe intervista sociale ka vendosur të fokusohet kaq intensivisht te protestat në Shqipëri?
Çfarë thotë eksperti:
Eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço ka folur lidhur me protestat dhe dhunën e regjistruar nga policët privatë në Zvërnec.
Ai theksoi se lidhur me këtë çështje duhet të bëhet transparencë për pronësinë, për letrat dhe procedurat.
“Kishte shumë kohë që nuk po përtypej dot historia e familjes së presidentit Trump, e cila ishte e fokusuar në interesin e një investimi të madh në zonën e Vlorës nga ana e shteteve të tjera fqinje të rajonit. Ishte halë në sy dhe u gjet ky moment. U shfrytëzua kjo ngjarje që të krijojë menjëherë në sintoni të plotë me rrjete sociale, me grupe interesi dhe me gjithçka. E kemi parë menjëherë mbi të gjitha shoqatat, të gjitha OJF-të, të gjitha grupet që ishin në qetësi. Nuk pashë njeri të çohej të shkonte të protestonte në Lezhë a të protestonte në Tiranë. Sapo ndodhi kjo e Vlorës, më ka bërë përshtypje, ka shpërthyer rrjetet sociale, organizimi i menjëhershëm që filloi nga vendet fqinje. Dhe kam dyshime, jo se i organizojnë ata, të lutem duhet ta qartësojmë, po ka një ngjitje të faktorëve të jashtëm për ta sabotuar këtë investim kaq të madh në jug të vendit. Unë jam për transparencë, unë jam që ai investim duhet të qartësohet dhe interesat kombëtare se ku janë. Por nga ana tjetër, unë nuk jam t’i kthehet kurrizi investimeve të huaja sepse nuk do bëhemi më seriozë kurrë me shtete të tjera dhe me grupe interesi shumë të rëndësishme globale. Dhe do të thonë Shqipëria është një kosh plehrash që duhen çuar vetëm plehra. Jo para! Paratë i çojnë në Mal të Zi dhe në Greqi dhe jo më në Shqipëri”, tha Karamuço.
Ndër të tjera ai shtoi se ka vende që nuk duan që investimi 4 miliardë dollarësh të vijë në Shqipëri.
Sipas tij vendeve të tjera të rajonit, nuk u pëlqyen raportimet se familja e presidentit amerikan Donald Trump do të bëjë një investim të madh në Vlorë.
Deklarata e Ramës nga Fieri
Kryeministri Edi Rama deklaroi nga Fieri se protestat kundër investimit në zonën e Zvërnecit po ndikohen nga interesa të jashtme.
Gjatë aktivitetit për 35-vjetorin e themelimit të Partisë Socialiste në Fier, Rama tha se nuk i konsideron protestuesit si agjentë apo persona të infiltruar, por shtoi se një pjesë e tyre janë bërë pre e narrativave dhe ndikimeve të caktuara.
“Ajo që po ndodh sot me Shqipërinë dhe pse Shqipëria po përdoret kaq masivisht në vende dhe nga njerëz që nuk kanë dhimbje për flamingot e Zvërnecit, është se Shqipëria sot është në epiqendër të një sërë përplasjesh. Nuk po them që njerëzit që dalin atje janë agjentë, spiunë apo të futur nga forca të errëta, por është një pjesë njerëzish atje që kanë rënë pre e gjithë këtyre gjërave”, u shpreh kryeministri.
Turistët e huaj në protestë:
Kur turistët e huaj nuk vijnë vetëm për plazhet, por zgjedhin të ecin krah për krah me qytetarët në protestë, kjo nuk është reklamë e keqe për Shqipërinë.
Është reklamë e mirë për demokracinë.
Një amerikan 22-vjeçar e quajti protestën një "përvojë transformuese". Një turist 74-vjeçar nga Kolorado mbajti në duar pankartën "Shpëtoni Nartën". Ndërkohë operatorët turistikë deklarojnë se nuk ka anulime rezervimesh dhe se protestat nuk kanë sjellë asnjë ndikim negativ në sektor.
Ndoshta sepse turistët nuk tremben nga qytetarët që mbrojnë natyrën.
Përkundrazi.
Ata admirojnë një popull që ngrihet për lagunat, pyjet, bregdetin dhe të ardhmen e vendit të vet.
Për vite me radhë Shqipëria është njohur jashtë për krimin, korrupsionin dhe tranzicionin e pafund.
Sot po njihet për diçka tjetër.
Paralajmërimi i Ambasadës amerikane dhe vigjilenca qe duhet të kenë autoritetet shqiptare
Ambasada amerikane në Tiranë me datë 1 prilli paralajmëroi se grupe të lidhura me Iranin mund të shënjestrojnë subjekte të lidhura me Shtetet e Bashkuara ose elementë të opozitës iraniane në Shqipëri.
Por, autoritetet shqiptare e hodhën poshtë këtë, duke e quajtur “hamendje”. Ambasada u bëri thirrje qytetarët amerikanë në Shqipëri “të ushtrojnë vigjilencë të shtuar”.
Në këto kohë trazirash për vendin tonë autoritetet lizbatuese duhet të jenë vigjilente, duke mbikqyrur elementë të jashtëm qe janë në protestë.
Ose kanë prerë biletën për të ardhur si turistë dhe kthehen në "flamingo" interesash okulte kundra Shqipërisë.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016