Nuk mjaftojnë 140 milionë eurot për “Smart City”, qeveria hap tendera për mbikëqyrjen e projektit

3 Qershor 2026, 22:26Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Foto montazh - Vox News

Një nga projektet më të diskutuara të muajve të fundit është padyshim “Smart City”, ku shteti shqiptar do të shpenzojë plot 140 milionë euro për vendosjen e disa kamerave në rrugë dhe sheshe për të evidentuar shkeljet apo shtetasit problematikë, vendas apo të huaj. Financimi është bërë nga një fond nga Emiratet e Bashkuara Arabe, teksa qeveria me shumë shpejtësi hapi një kompani shtetërore, e regjistroi në QKB, më pas u vendosi paga dhe ka filluar rekrutimin e punonjësve.

Por, duket se në këtë vendin tonë të vogël paratë nuk mjaftojnë asnjëherë, edhe kur bëhet fjalë se i gjithë projekti ka kushtuar një mal me para, të hedhura kuturu pa një procedurë prokurimi, por vetëm me negocime. Disa ministra nuk preferuan që të firmosin dokumentet, por u desh ndërhyrja e kryeministrit që të gjente disa shtigje dhe të detyronte disa zv.ministra për t’a finalizuar këtë nismë, aspak e zakonshme dhe me kosto tepër të fryra.

Me shpejtësi tepër të lartë, disa ministri kanë vepruar duke nxjerrë akte ligjore dhe nën ligjore, duke ratifikuar marrëveshje apo duke bërë dokumente në QKB, teksa nisma e fundit është gjetja e një firme që do ta mbikëqyrë projektin. Natyrisht kjo firmë duhet të jetë e besuar, të bëjë çfarë t’i thonë dhe të ofrojë asistencë apo të jenë të gatshëm të firmosin dokumente.

Nuk mjaftojnë 140 milionë eurot për “Smart City”,
Faksimile: Tenderi i hapur për mbikëqyrje e projektit të sistemit të kamerave “Smart City”

Redaksia e Vox News ka hulumtuar dokumente nga Agjencia e Prokurimit Publik, e cila ka nxjerrë në regjistrin e parashikimeve bërjen e një tender me shpejtësi. Mësohet se objekti i procedurës së prokurimit është “mbikëqyrje e projektit sistemi i kamerave nën administrimin e Policisë së Shtetit Smart City”, teksa autoriteti kontraktues është Operatori i Blerjeve të Përqendruara.

Fondi limit i kësaj procedure është plot 49.501.930 lekë, pra më shumë se gjysëm milioni euro. Tenderi vjen pasi vetë qeveria dhe disa institucione kanë nisur zyrtarisht lëvizjet për të vënë në punë projektin “Smart City”. Qeveria ka nxjerrë një njoftim disa muaj më parë se drejtuesit dhe menaxherët e projektit do të paguhen me 170 mijë lekë në muaj, ndërsa koordinatorët dhe punonjësit teknikë do të marrin 141 mijë lekë në muaj.

Shteti shqiptar aktualisht po ndërton strukturën që do të administrojë rrjetin gjigant të kamerave dhe sistemeve të inteligjencës artificiale nën administrimin e Policisë së Shtetit. Faza e parë përfshin vendosjen e rreth 5 mijë kamerave inteligjente në rrugët kryesore dhe pranë 20 shkollave, ndërsa projekti parashikon zgjerimin e rrjetit në të gjithë qytetet kryesore të vendit. Projekti nisi me një vlerë 60 milionë euro, por më pas vlera shkoi në plot 140 milionë euro.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016


Video