Tirana zien nga protestat, "Zvërneci" shitet për 306 mijë euro! (Dokumentat)

8 Qershor 2026, 15:16Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Foto e marre nga protesta

Në kohën kur vëmendja e opinionit publik ishte fokusuar te protestat në Tiranë dhe Zvërnec, në disa zyra shtetërore po zhvilloheshin lëvizje të rëndësishme pronësie dhe biznesi rreth mega-projektit turistik.

Dokumente të siguruara nga VoxNews tregojnë se më 7 maj 2026, vetëm 26 ditë përpara se SPAK të ndërmerrte veprime duke sekuestruar llogari me vlerë rreth 200 milionë dollarë të lidhura me projektin, u realizua një transferim i pronësisë përmes një marrëveshjeje të regjistruar në juridiksione offshore.

Kontrata e shitjes së kuotave, e siguruar nga VoxNews, hedh dritë mbi një seri strukturash korporative të ndërthurura, të cilat kanë ndryshuar pronësi në prag të zhvillimeve hetimore.

Tirana zien nga protestat, "Zvërneci" shitet për 306
Shitësi është “Universal Properties Projects BV”, kompania guaskë holandeze e menaxhuar nga dyshja e drejtorëve në hije, rusi Nikita Vinogradov dhe bullgarja Zoya Gyurova

Dokumenti ngre pikëpyetje mbi kohën e kryerjes së transaksionit dhe mënyrën se si janë organizuar marrëdhëniet e pronësisë rreth projektit miliardë dollarësh të lidhur me investitorë ndërkombëtarë, mes tyre emri i Jared Kushner dhe kapital nga Katari.

Tirana zien nga protestat, "Zvërneci" shitet për 306
Kontrata mban emrin e përfaqësuesit të blerësit, Mehmet Fatih Even. Kjo lëvizje vërteton kalimin e kontrollit nga strukturat fshehëse evropiane drejtpërdrejt te investitorët nga Lindja e Mesme, vëllezërit Al-Khayyat

Çmimi total i shitjes së kompanisë që mban lejen e zhvillimit për resortin luksoz është vetëm 306,000 euro.

Tirana zien nga protestat, "Zvërneci" shitet për 306
"Zvërneci" shitet për 306 mijë euro

Peizazhet e paprekura të Adriatikut shqiptar

Kujtojmë se bregdeti i Zvërnecit dhe Pishë Poros, një nga hapësirat më të ruajtura të vijës bregdetare shqiptare në Adriatik, prej vitesh është kthyer në objekt interesi për investitorë dhe zhvillues të mëdhenj turistikë.

Me plazhe të gjera ranore, peizazhe natyrore dhe një biodiversitet të pasur, zona konsiderohet një nga asetet më të çmuara mjedisore të vendit.

Statusi i mbrojtjes ligjore nuk e ka zbehur këtë interes. E njohur si Peizazh i Mbrojtur, zona përfshin ekosisteme të ndjeshme dhe habitate të rëndësishme për shpendët migrues, përfshirë flamingot.

Brenda saj ndodhen edhe tre monumente natyrore: laguna e Limopuos, ishulli i Manastirit dhe dunat e rralla ranore që shërbejnë si vend folezimi për breshkat detare.

Por paralelisht me vlerat natyrore, prej vitesh është zhvilluar edhe një garë e heshtur për kontrollin e tokave në këtë vijë bregdetare.

Dokumente dhe të dhëna pronësie tregojnë se sipërfaqe të konsiderueshme toke, nga zona e Triportit deri pranë grykëderdhjes së Vjosës, janë përqendruar gradualisht në duart e biznesmenëve dhe investitorëve të njohur.

Në shumë raste, këto prona janë blerë nga subjekte apo individë me tituj pronësie të kontestuar ose të përfshirë në procese të gjata gjyqësore, duke shtuar pikëpyetjet mbi mënyrën se si është ndërtuar harta e pronësisë në një nga zonat më të lakmuara të bregdetit shqiptar.

Protestat prej disa ditësh me radhë:

Qytetarët marshojnë nga sheshi ‘Skënderbej’, drejt Kryeministrisë, e më pas në rrugët e kryeqytetit,  kundër ndërtimit në projekt.

Mijëra qytetarë kërkuan sërish dorëheqjen e kryeministrit, Edi Rama.

Protestuesit mbajtë fjalime duke parashtruar edhe njëherë 5 kërkesat e tyre: dorëheqjen e qeverisë, shfyqizimin e statusit dhe kuadrit ligjor që lidhet me investitorët strategjikë, shfuqizimin e Paketë së Maleve, anulimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura dhe anulimin e ndryshimin për trashëgiminë kulturore shqiptare.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016



Video