Protestat në Tiranë po zhvillohen me një klimë tensioni edhe ndaj mediave.
Disa protestues kanë pasur qëndrime armiqësore ndaj mediave e gazetarëve, episode të përsëritura prej disa ditësh.
Një rast u regjistrua edhe në sheshin “Skënderbej”, kur ende nuk kishte nisur marshimi drejt Kryeministrisë.
Protestuesit sulmuan gazetaren e Top News, Kleida Muka gjatë raportimit duke e shtyrë dhe lagur me ujë.
Pre e sulmeve nga disa protestues kanë rënë edhe gazetarë të tjerë, që kanë qenë duke raportuar.
Por njëri prej kordinatorëve të protestës, disa ditë më parë u bënte thirrje mediave që të vinin te komisariati 302 se po dhunoheshin.
Pra kërkonte ndihmën e gazetarëve dhe mediave për të pasqyruar atë që po ndodhte atje.
Për më tepër shikoni videon e mëposhtme:
Prandaj i dashur protestues/e, gazetarët kanë një rol kyç gjatë protestave, duke informuar publikun në kohë reale për zhvillimet në terren.
Ata dokumentojnë ngjarjet, pasqyrojnë kërkesat e juaja, reagimet e autoriteteve dhe çdo incident që mund të ndodhë, duke ndihmuar qytetarët të krijojnë një panoramë të plotë të situatës.
Prania e mediave në protesta konsiderohet një element i rëndësishëm për transparencën dhe llogaridhënien, pasi dokumentimi i ngjarjeve ndihmon jo vetëm publikun, por edhe institucionet në zbardhjen e çdo incidenti që mund të ndodhë gjatë tubimeve publike.
Kujtojmë se Asocacioni i Gazetarëve Shqiptarë ka dënuar dhunën ndaj gazetarëve në protestë, duke thënë se çdo akt dhune apo intimidimi ndaj tyre është i papranueshëm dhe duhet të hetohet e të ndëshkohet pa asnjë përjashtim.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016