Spiropali sfidon Ramën: Të hapet gara për kreun e PS-së pas 17 vitesh! Nuk kemi kryetar të përjetshëm, kush është i pazëvendësueshëm?

25 Nëntor 2026, 11:58Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Spiropali sfidon Ramën: Të hapet gara për kreun e PS-së pas
Elisa Spiropali, Edi Rama (Foto e gjeneruar me AI)

Elisa Spiropali ka bërë një thirrje të drejtpërdrejtë për hapjen e garës për kryetarin e Partisë Socialiste, duke kërkuar që pas 17 vitesh të ketë konkurrencë për drejtimin e forcës politike.

Gjatë konferencës për shtyp, pas përjashtimit nga grupi parlamentar socialist, Spiropali tha se në PS nuk duhet të ketë kryetarë të përjetshëm dhe se gara duhet të jetë e hapur për këdo që dëshiron të kandidojë.

“Nëse duan të bëjnë një garë popullariteti, atëherë unë kam një propozim shumë të thjeshtë: të hapet gara në Partinë Socialiste pas 17 vjetësh. Ne nuk kemi kryetar të përjetshëm, sado ta duam, sado i mirë të jetë, sado të ketë bërë për vendin”, deklaroi Spiropali.

Ajo ironizoi edhe qëndrimet e kolegëve të saj për statutin e partisë, duke vënë në dukje se disa prej tyre, sipas saj, nuk e kanë respektuar atë kur u është dashur.

“Statuti nuk është Bibël. Ata që sot e kanë hequr statutin nga faqet e Partisë Socialiste, sepse nuk duan të dalë aty që kryetari i Kuvendit është anëtar i përhershëm ex officio i Asamblesë Kombëtare, flasin sot për statut. Për çfarë statuti atëherë? Rregullat duhet të jenë të përbashkëta”, u shpreh ajo.

Spiropali kujtoi gjithashtu angazhimin e saj në strukturat e Partisë Socialiste, duke përmendur drejtimin politik në Tiranë, Kukës dhe Shkodër, si dhe detyrat që ka mbajtur në qeveri dhe në Kuvend.

Ajo tha se nuk ka asnjë problem edhe nëse karriera e saj politike do të përfundonte, por theksoi se nuk ka ndërmend të largohet nga Partia Socialiste.

“Unë nuk kam pikë problemi ta përfundoj karrierën time politike. Sigurisht që i detyrohem gjithmonë forcës sime politike. Jam bërë ministre për Marrëdhëniet me Parlamentin, ministre e Jashtme, kryetare e Kuvendit, falë kësaj force politike”, deklaroi Spiropali.

Në vijim, ajo e bëri edhe më të qartë sfidën e saj, duke theksuar se gara për kreun e PS-së duhet të jetë e hapur dhe se nuk ka asnjë person të pazëvendësueshëm.

“Meqë qenka garë popullariteti, hapet gara në Partinë Socialiste pas 17 vitesh dhe jo vetëm unë, por shumë të tjerë mund të garojnë për kreun e Partisë Socialiste. Pse? Kush është i pazëvendësueshëm? Kjo logjikë e pazëvendësueshmërisë, e të qenit i njohur, e sekretarit të parë, e kryeministrit, e sulltanit, e këtij apo atij, ka sjellë këtë sistem që ka prodhuar problematika të rënda, të cilat të rinjtë po ua tregojnë me gisht të gjithëve”, përfundoi Spiropali.


Vox Pop

Video