
Ish-kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, ka reaguar pas përjashtimit nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste, duke e lidhur këtë vendim me qëndrimet e saj publike për nevojën e reformimit të sistemit politik dhe forcimit të institucioneve.
E pyetur nëse mund të identifikojë emra konkretë të personave që kanë kontribuar në përjashtimin e saj dhe nëse do të ndërmarrë një lëvizje të ngjashme me nismën për vendimmarrje ndryshe brenda PS-së, Spiropali u shpreh se nuk është e habitur nga ajo që ka ndodhur.
“Unë mendoj se nuk duhet të çuditemi fare. Nuk ka asgjë këtu për t'u habitur, për sa kohë ata që duhet të ikin rrinë dhe ata që duhet të rrinë ikin. Unë mendoj se do të kemi dhe do të shohim edhe shumë të tjera të tilla, sepse Shqipëria ka hyrë në një fazë shumë delikate të zhvillimit të saj”, deklaroi Spiropali.
Ajo theksoi se qëndrimet e saj nuk janë të reja, por i ka mbajtur edhe më herët, duke ngritur shqetësimin për situatën politike në vend dhe nevojën për ndryshime të thella në sistem.
Spiropali foli për nevojën e më shumë demokracie, jo vetëm brenda partive politike, por edhe në Kuvend dhe institucionet e vendit. Sipas saj, sistemi aktual elektoral ka prodhuar një situatë që pengon qarkullimin e elitave politike dhe përfaqësimin e qytetarëve.
Ajo nënvizoi se qëndrimet e saj për kufizimin e pushtetit dhe forcimin e shtetit nuk janë diktuar nga interesa personale.
“Po të kërkoja komoditetin, do ta bëja shumë mirë brenda partisë politike. Na ka mësuar koha, na kanë mësuar vitet, na kanë mësuar përgjegjësitë që kemi në raport me forcën politike dhe pushtetin, por ishte koha për ta kuptuar që gjërat kanë ndryshuar thellësisht”, u shpreh ajo.