
Në fund të qershorit mblidhet samiti i tradicional i radhës i udhëheqësve të vendeve anëtare të NATO-s, ku protokollet zyrtare parashikojnë pjesëmarrjen e të paktën tre përfaqësuesve nga secili vend anëtar i Aleancës.
Samiti këtë herë mbahet në datat 29 dhe 30 qershor.
Në rastin e republikave presidenciale, në këtë samit marrin pjesë presidentët, ministrat e Mbrojtjes dhe Shefat e Shtabit të Forcave të Armatosura.
Kur bëhet fjalë për republikat parlamentare, përfaqësimi është në nivel Kryeministrash, ministrash të Mbrojtjes dhe Shefit të Shtabit të Forcave të Armatosura.
Këtë herë delegacioni shqiptar do të shkojë i përçudnuar me Edi Ramën si Kryeministër, Niko Peleshin si Ministër Mbrojtjeje, por pa një Shef Shtabit të Forcave të Armatosura.
Bajram Begaj, i zgjedhur President në 4 qershor hoqi dorë nga të gjitha funksionet ushtarake, si nga grada gjeneral, ashtu edhe nga pozicioni si Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë. Megjithëse emërimi i tij President dukej i menduar nga mazhoranca, prej tri javësh nuk është zgjedhur pasuesi i Begajt në krye të Forcave të Armatosura.
Sot Shqipëria ka një komandat të përgjithshëm të FA, që është në detyrë (Ilir Meta), një komandant të përgjithshëm të FA të zgjedhur (Bajram Begaj), por nuk ka një Shef të Shtabit të Përgjithshëm të FA, që është truri i vendimmarrjes operacionale të ushtrisë në kohë paqe.
Ky është një vakuum që në mos antiligjor e antikushtetues, nuk është serioz në një kohë që Aleanca është praktikisht në luftë me Rusinë.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.