Degradimi i diplomacisë, në ditën e negociatave Olta Xhaçka mbronte bizneset e burrit në Kuvend

23 June 2022, 19:03Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Degradimi i diplomacisë, në ditën e negociatave Olta
Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka

Dita e mirë duket që në mëngjes dhe mëngjesi i kësaj të enjteje nuk ishte një ditë e mirë që Shqipëria të merrte një datë për hapjen e negociatave, pas lajmeve nga Bullgaria.

Për këtë arsye, nga samiti BE-Ballkani Perëndimor nuk pritej ndonjë rezultat pozitiv dhe këtë Edi Rama e dinte që para se të nisjes për në Bruksel, kur ngriti pyetjen retorike se “çfarë të bënte atje?!”.

Por, nëse Rama nuk ka “se çfarë të bëjë”, takimi ishte një mundësi e mirë për të lobuar që në samitin e radhës Shqipëria të mos ishte peng i vetos bullgare ndaj Maqedonisë së Veriut, pra të kërkohej ndarja.

Për detyrë lobimin dhe mbrojtjen e interesave të shqiptarëve në botë e ka Ministria e Jashtme. Por, çfarë ndodh? Në ditën më të rëndësishme të integrimit deri më tani për këtë vit (ndoshta mund të jetë më e rëndësishmja e të gjithë vitit), ministrja e Jashtme e Shqipërisë ka të tjera prioritete.

Olta Xhaçka nuk udhëtoi për në Bruksel për të ushtruar detyrën për të cilën paguhet nga qytetarët shqiptarë, pra të ngrinte e mbronte interesat e shqiptarëve përballë diplomacisë europiane. Nga sot mund të hidheshin themelet diplomatike për të realizuar hapin e radhës, që është shkëputja nga Maqedonia e Veriut dhe hapja e negociatave.

Por, këto themeli i shtymë për një ditë tjetër. Arsyeja? Ministrja duhej të ishte në Tiranë dhe të mbronte burrin dhe statusin e përfituar prej tij si investitor strategjik. Pra, mbi interesat e shqiptarëve prevaloi interesi personal e privat i Olta Xhaçkës. Kjo është një tjetër provë e degradimit të politikës shqiptare në përgjithësi dhe asaj të jashtme në veçanti.

Në vend që të ishte në Bruksel e të kapte me radhë prej xhakete homologët e saj të Bashkimit Europian, duke u kërkuar një datë për negociatat, Olta Xhaçka kapi foltoren e Kuvendit dhe akuzoi opozitën se po shpifte ndaj burrit të saj, se nuk ishte në konflikt interesi dhe se s’kishte shkelur asnjë ligj.

Xhaçka mund të mos jetë në konflikt interesi, por zgjedhja për të qëndruar në Tiranë ditën që në Bruksel diskutohej integrimi, ambicia kryesore e shqiptarëve në këto 3 dekada tregon se interesi i saj nuk janë shqiptarët, por xhepat.

Në vend që të ishte në Bruksel e t’u parashtronte kolegëve të vet të BE-së se përse Shqipëria i stërmeriton negociatat, ministrja qëndroi në Tiranë për të thënë se “burri i saj nuk ishte favorizuar, por vetëm kishte marrë sigurinë juridike që i jepte statusi i investitorit strategjik”.

Por, sot në Shqipëri pikërisht siguria juridike e pronës është problemi më i madh dhe këtë e provojnë denoncimet e kreut të Kadastrës për qarqet Durrës e Tiranë, ku falsifikimet e pronave kanë marrë përmasa të frikshme.

Siguria e pronës është ajo që tremb investitorët e huaj që të bëhen edhe ata “strategjikë” në vendin tonë. U fundit që e provoi të bëhej strategjik me një investim miliona dollarësh në Gjirin e Lalzit, u largua nga vendi me këmbë të thyera.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video