Dallimi 700 mln eurosh! “Gener 2” 1.3 mld euro për 21 km rrugë, në Bosnje ndërtohen 35 km për 600 mln euro

23 June 2022, 20:13Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Dallimi 700 mln eurosh! “Gener 2” 1.3 mld euro për 21 km

Bosnje Hercegovina ka marrë një hua prej 300 mln eurosh për ndërtimin e 35 kilometrave rrugë, që janë pjesë e projektit të ndërlidhjes infrastrukturore të Ballkanit Perëndimor, njohur si “Korridori Blu”.

Këtij korridori i është dhënë prioritet në kuadër të procesit të Berlinit. Ai nis nga Kroacia, kalon përmes Bosnjes, Malit të Zi, Shqipëri dhe përfundon në Greqi. Por, kostoja e ndërtimit të segmentit varion nga kush e ndërton dhe ku e ndërton.

Si shembull, Bosnja do të ndërtojë me 600 mln euro 35 kilometra rrugë, ku 10.1 kilometra janë tuneli i Prenjit, vepra më madhore dhe e vështirë e rrugës. I gjithë aksi kalon nëpër terrene të vështira malore, me 12 ura e tunele të tjera më të vogla, për të mos folur për kostot e skarpatave mbrojtëse.

Megjithatë, kostoja maksimale e përllogaritur është rreth 600 mln euro, nga të cilat 300 mln do t’i financojë Banka Europiane e Investimeve përmes një huaje 25-vjeçare, ku në 6 vitet e para Bosnja do të paguajë zero norma interesi.

Por, çfarë ndodh në Shqipëri? Shqiptarët do ta paguajnë të paktën 1.3 miliardë euro në 35 vitet e ardhshme për ndërtimin e një rruge 21 kilometra të gjatë dhe për më tepër në një terren fushor dhe të shtrirë në pjesën më të madhe në rrugë ekzistuese.

Bëhet fjalë për aksin Thumanë-Kashar, ku Qeveria ka miratuar dhënien me koncesion për kompaninë Gener 2 të Bashkim Ulajt. Kontrata parashikon që kushdo që do të kalojë në rrugën e ndërtuar nga Ulaj do të paguajë të paktën 2.1 euro, ndërsa në 8 vitet e para të operimit, Qeveria del garante për mungesën e trafikut.

Pra, në Shqipëri një segment më i shkurtër rrugor dhe për më tepër në një terren fushor dhe pa pengesa ndërtimi do të kushtojë rreth 700 mln euro më shumë se 35 kilometra rrugë me një tunel 10.1 kilometrash në Bosnje e të financuar gjysmë për gjysmë përmes një kredie të favorshme nga Banka Europiane e Investimeve. Ky është dallimi!

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video