Pas dyshimeve se qëndronte pas përpjekjes së dështuar për përfitimin e të paktën 20 mln eurove për ndërtimin e një segmenti prej jo më shumë se 700 metra në Unazën e Re, Bashkim Ulaj duket se ja doli me sukses që me kompaninë e tij Gener 2 të sigurojë të paktën 1 mld euro fitime në 35 vitet e ardhshme.
Ulaj ka siguruar koncesionin e rrugës Thumanë-Kashar, vetëm 21 kilometra e gjatë, që qytetarëve do t’u kushtojë vetëm kalimi në vitet e para të paktën 2.1 euro. Përveç kësaj, në tetë vitet e para, Bashkim Ulaj do të marrë nga buxheti i shtetit 15 mln euro, si kompensim për trafikun e munguar.
Kontrata dukshëm në favor të Gener 2 nuk është e para e këtij lloji. Në 2018-n, Bashkim Ulaj u akuzua se qëndronte pas një kompanie fantazmë me emrin “DH Albania”. Akuzat që u ngritën ishte se në Shqipëri kompaninë e shiti si amerikane të themeluar që në vitin 1998 në shtetin e Delaware të SHBA, madje dorëzoi edhe bilance financiare të rreme nga 2015-ta deri në 2017-n për të fituar tenderin në lotin 1 të Unazës së Re.
Përfaqësues në Shqipëri i kompanisë ishte shtetasi Avdiol Dobi, në atë kohë 26-vjeç dhe me përvojën e vetme si recepsionist. Dobi ishte i vetmi që u mor i pandehur, hetua e gjykua dhe në fund dënua me 6 muaj burg vetëm me akuzën e falsifikimit të dokumenteve.
Falsifikimi ishte i përmasave të mëdha, që nëse nuk do të ishte denoncuar nga mediat, ‘DH Albania’ do të përfitonte 30 mln euro nga dy tendera. Tenderi i parë ishte lidhur me OST për ndërtimin e linjës së interkonjeksionit Burrel-Peshkopi, ndërsa tenderi i dytë ishte në Unazën e Re.
Në të dy tenderat, kompania u paraqit si degë e kompanisë amerikane “Dunwell Haberman”, e themeluar në shtetin e Delaëare në qershor të vitit 1998. Por, mediat zbuluan në atë kohë se kompania ishte themeluar vetëm në qershor të 2018-s dhe se kishte falsifikuar firmën e sekretarit të shtetit të Delaware në dokumentacionet e falsifikuara që dorëzoi në Shqipëri.
Tenderi i unazës u anulua dhe prokuroria nisi hetimet, por skandali nuk përfundon me kaq. Sipas dokumentacioneve, OST derdhi në 5 nëntor të 2018-s 2.4 mln euro në arkën e DH Albanias, megjithëse kontrata për ndërtimin e interkonjeksionit u nënshkrua më 31 nëntor 2018.
Zyrtarët nga Ministria e Infrastrukturës thanë se shuma në fjalë ishte rikthyer sërish në arkën e OST-së, por pa paraqitur asnjë faturë, apo dokumentacion që të provonte këtë.
Ndërkohë, pas nisjes së hetimeve nga prokuroria, Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe OST deklaruan se nuk mund të verifikonin nëse dokumentacioni ishte i falsifikuar apo jo.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.