
Mes zhurmës së finales së Conference League, Qeveria ka kaluar me akt normativ vendimin për të kompensuar kompanitë e tenderave për rritjen e çmimeve të disa materialeve të ndërtimit.
Akti normativ është marrë në mbledhjen e qeverisë të datës 18 maj, por nuk është publikuar në faqen zyrtare të Kryeministrisë, ndërsa është publikuar në Fletoren Zyrtare ditën e hënë.
Përmes këtij vendimi, kompanitë që kanë fituar kontrata publike në tendera kanë të drejtë të kërkojnë kompensim të rritjes së çmimit për hekurin, çimenton, bitumin, aluminin, bakrin dhe zinkun.
Akti normativ zbatohet për kontratat publike për punë të financuara me fonde të shoqërive me kapital shtetëror të paktën 51 për qind, apo me financim të huaj, që përballohen nga fondet e shoqërive me kapital shtetëror, të cilat janë në proces për t’u lidhur përpara hyrjes në fuqi të këtij akti normativ, ose në proces zbatimi që nga data 1 janar 2020 dhe që preken nga rritja e çmimeve të këtyre materialeve.
Akti normativ nuk jep një shifër se sa para shtesë do t’u kushtojnë shqiptarëve tenderat, por shifra më minimale përllogaritet në rreth 60 mln euro. Kompanitë private kanë të drejtë të kërkojnë kompensim nga 5 deri në 30 për qind të kostos totale të blerjes së këtyre materialeve të ndërtimit.
Për kontratat publike për punë, që do të lidhen pas hyrjes në fuqi të këtij akti normativ, autoritetet kontraktore duhet t’u referohen çmimeve të tregut për materialet e hekurit, çimentos, bitumit, tubave plastikë dhe në rastin e shoqërive me kapital shtetëror të paktën 51 për qind, duke përfshirë edhe aluminin, bakrin dhe zinkun.
Kërkesa për kompensim bëhet përmes një formulari, që nëse miratohet nga autoriteti kontraktor reflektohet si shtesë e kontratës fillestare. Megjithatë, kjo shtesë sipas aktit normativ nuk do të cilësohet pjesë e kontratës.
Kompanitë që nuk bien dakord me vlerën e kompensimit të ofruar nga qeveria do të përjashtohen nga garat për tendera për 3 vite, ndërsa kontrata e nënshkruar do të anulohet dhe rihapet procedura për vazhdimin e punimeve.
Në rast se operatori ekonomik nuk bie dakord me vlerën e vendosur të kompensimit nga autoriteti kontraktor, kontrata ndërmjet palëve zgjidhet dhe rihapet një procedurë e re prokurimi për realizimin e punimeve të papërfunduara. Gjithashtu, ndaj operatorit ekonomik merret masa e përjashtimit nga procedurat e përfitimit të kontratave publike për një periudhë3-vjeçare nga Agjencia e Prokurimit Publik.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.