Mega-operacioni që u zhvillua sot nga SPAK u quajt "Plumbi i Artë". Ky operacion goditi 8 grupe kriminale në Elbasan, Durrës dhe në Tiranë. Operacioni në fjalë ka ardhur menjëherë pas arrestimit të shumë të kërkuarit Nuredin Dumani, i cili u kap gjatë operacionit policor të koduar “Arratia” në Fier.
Dumani thuhet se është njeriu “kyç” për SPAK që ka çuar në hedhjen dritë në shumë ngjarje kriminale të ndodhura në vendin tonë. Mbi Nuredin Dumanin rëndojnë akuza të shumta, ku një prej tyre është edhe ajo e vrasësit me pagesë. Dyshohet se Dumani kontaktohej nga grupe kriminale dhe kundrejt shumave të mëdha parash kryente eliminimet fizike të kundërshtarëve. Pikërisht një atentat të tillë ai do e kryente në më 29 mars në Elbasan, shkruan Abc.
Por diçka nuk shkoi sipas planit dhe ai ra në pritë duke mbetur edhe vetë i plagosur. Në këtë ngjarje u përfol se Dumani ra në pritën e ish mikut të tij të ngushtë Talo Çela megjithatë kjo nuk u konfirmua kurrë zyrtarisht. Pas kësaj ngjarje, Dumani arriti të shkonte deri në Fier, por më pas iu vunë prangat bashkë me Henrik Hoxhajn, emër ky po ashtu i përfshirë në disa ngjarje kriminale. Të dy këta personazhe të botës së krimit duket se janë “asi nën mëngë” i SPAK.
Gjatë operacionit policor të koduar “Golden bullet” janë ekzekutuar 18 masa sigurimi, prej të cilave:
9 masa sigurimi janë ekzekutuar në disa IEVP, në ngarkim të shtetasve:
1. Nuredin Dumani, 35 vjeç
2. Henrik Hoxhaj, 40 vjeç
3. Altin Ndoci, 35 vjeç
4. Erion (Andrea) Alibej, 36 vjeç
5. Skerdi Tasi, 31 vjeç
6. Elvis Koçi (Çaushllari), 30 vjeç
7. Ilirian Feci, 47 vjeç
8. Enver Diva, 43 vjeç
9. Besjan Xhixha, 31 vjeç
9 masa sigurimi “Arrest në burg” në ngarkim të shtetasve, të cilët u arrestuan gjatë operacionit:
1. Ardjan Uzuni, 56 vjeç
2. Leonard Palushi, 41 vjeç
3. Gentian Sharra, 48 vjeç
4. Fatos Gosa, 54 vjeç
5. Florenc Çekrezi, 35 vjeç
6. Petrit Qoli, 51 vjeç
7. Agron Qoli, 52 vjeç
8. Agron Qafa, 48 vjeç
9. Asllan Plaku, 30 vjeç
Kush është Nuredi Dumani:
Nuredin Dumani është një emër shumë i njohur për policinë. Emri i tij u lakua në tetor të vitit 2020, kur ai u shpall në kërkim si autor i vrasjes së Bujar Çelës, vëllai të Talo Çelës.
Ai është autor i dyshuar edhe për vrasjen e vëllezërve Haxhia në Durrës, ngjarje kjo e kryer në bashkëpunim me Talo Çelën, sipas Policisë dhe dy personave të tjerë.
Autorësia e tyre në këtë ngjarje është dëshmuar nga i penduari i drejtësisë, Klevis Alla, ndërsa dy vëllezërit Besmir dhe Viktor Haxhia u vranë pasi akuzoheshin se nuk i kishin kthyer një shumë të konsiderueshme parash që kishin lënë në servisin e tyre.
Vëllezërit Haxhia, gjithmonë sipas dëshmisë së Klevis Allës, kanë deklaruar se paratë i kanë humbur në muajin janar të këtij viti, kur servisi i tyre ra pre e vjedhjes, ku i morën edhe materiale dhe nuk kishin asnjë mundësi për t’i kthyer pas. Dumani është shok me Klevis Kapllanin, i ekzekutuar me 14 plumba më 15 shtator.
Ai akuzohet edhe si organizator i vrasjes së Dorjan Shkozës dhe Anxhelo Avdylit, në 2 mars 2020. Po ajo që bie më shumë në sy është se në vrasjen e katër të rinjve në Durrës, Dumani ka bashkëpunuar së bashku me Talo Çelën, ndërsa së fundmi ai akuzohet për vrasjen e vëllait të tij
Nuredin Dumani gjithashtu mësohet se ka qenë i lidhur me një rrjet prostitucioni që doli në dritë pas denoncimit të një vajze nga Durrësi e trafikuar në Francë.
Sipas dëshmisë së saj, Dumani ishte tutori i rrjetit, që i mashtronte vajzat duke u propozuar për martesë dhe në rast refuzimi i kërcënonte se do të vriste familjarët e tyre. Po ashtu, Nuredini ka qenë i arrestuar më herët edhe për akuzën e vjedhjes. Dumani, i dyshuar edhe për vrasjen e shokut të tij në Rrogozhinë
Sipas informacioneve të Policisë së Elbasanit, Nuredin Dumani dyshohet se është i implikuar edhe në vrasjen e shtetasit Klevis Kapllani, me të cilin kishte njohje të hershme dhe shoqëroheshin bashkë.
Gjithashtu mësohet se Nuredin Dumani dhe Klevis Kapllani janë nga i njëjti fshat, Sinaballaj, dhe para se Dumani të shpallej në kërkim nga Policia për ngjarjet kriminale, ata shoqëroheshin bashkë në publik. Kapllani ka qenë i dënuar dy herë në Itali, si shpërndarës droge.
Por tashmë Nuredin Dumani akuzohet se është i implikuar edhe në dy ngjarje të rënda në Durrës, me një bilanc prej 4 viktimash, Besmir Haxhia, Viktor Haxhia, Dorjan Shkoza dhe Anxhelo Avdyli, ngjarje të ndodhura në muajin mars dhe maj të këtij viti.
Për këtë ngjarje në kërkim është dhe Talo Çela, i cili së bashku me Nuredin Dumanin përmenden në dëshminë e të arrestuarit për atentatin e vëllezërve Haxhia, Klevis Alla.
VOXNews