E vërteta e trafikut drejt Rinasit dhe dyshimi se vendimi për një korsi i shërben Kastratit

4 May 2022, 19:02Investigim SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
E vërteta e trafikut drejt Rinasit dhe dyshimi se vendimi për një
Foto nga protesta e banorëve kundër vendimit të shndërrimit të rrugës së Rinasit njëkalimshe

Vendimi i shndërrimin në një rrugë njëkalimshme të Rinasit ngre dyshimet se jo vetëm është një vendim i pastudiuar mirë dhe aspak në interes të publikut, por është vënë në shërbim të koncesionarit të aeroportit, pra Shefqet Kastratit.

Autoriteti Rrugor Shqiptar e argumentoi vendimin duke thënë se ai do të shmangte trafikun dhe do t’u shërbente më mirë udhëtarëve në prag të sezonit turistik që të shmangin trafikun. Por, mjafton që të pyetet një taksist që e bën shpesh rrugën e Rinasit për të kuptuar se ku shkaktoheshin ngërçet.

Përgjigja e të gjithë atyre është e njëjtë; trafiku shkaktohet në Qafën e Kasharit dhe në Rrethrrotullimin para hyrjes në aeroport. Shkak i trafikut në Qafën e Kasharit zakonisht është fluksi i madh i makinave në drejtim të Rinasit dhe Durrësit gjatë periudhës së verës, ndërsa te rrethrrotullimi shkaktar është më shumë koncesionare.

Taksistët e kontaktuar nga Voxnews.al që e bëjnë këtë rrugë të paktën 3 herë në javë thonë se trafiku në këtë rrethrrotullim buron nga fakti që rrethi është shumë i vogël e i ngushtë dhe nga keqmenaxhimi i parkingut.

Pjesa e rrethit është problematikë që mbetet ta zgjidhin institucionet shtetërore, por pjesa e parkingut brenda aeroportit i takon Kastratit. Gjatë sezoneve turistike dhe në pikun e fluturimeve, mungesa e vendeve të parkimit pason kaos trafiku që çorodit të gjithë aksin nga Qafa e Kasharit deri në Fushë-Krujë.

Makinat private që hyjnë në parking për të përcjellë apo marrë një pasagjer, në pikun e fluturimeve shpesh nuk gjejnë vend parkimi. Te kjo pjesë ndikon edhe fakti që shumë nuk hyjnë në parking për të shmangur pagesën, që varion nga 150 lek deri në 600 lek.

Në faqen zyrtare thuhet se janë 750 vende parkimi. Një pjesë e mirë e tyre është e zënë nga punonjës të Aeroportit, madje Voxnews.al mëson se ka raste kur në parking lënë automjetet edhe persona që nuk punojnë në aeroport, por ushtrojnë aktivitetin e lënies me qira të automjeteve në të zezë, ose që janë punonjës të Albcontrol dhe të bizneseve aty pranë.

Për këto arsye, shumë qytetarë shprehen pesimistë se vendimi do t’i japë zgjidhje çështjes së trafikut në Rinas dhe që për më tepër me eksperimentin e kryer u është rritur kostoja e transportit me të paktën dy herë banorëve të fshatrave nga Qafa e Kasharit deri në Rinas.

Injorimi i kërkesave të këtyre banorëve sugjeron se më shumë se sa zgjidhje trafiku, vendimi në fjalë është kryekëput në shërbim të Kastratit, i cili do të ketë të njëjtin fluks udhëtarësh, ndërsa problemet me parkingun e koncesionarit do të mbulohen në kurriz të fshatarëve të zonës.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.



Video