Ina Media shkruan se kulla e re “Downtown One Tirana”, 140 metra e lartë, projekti i së cilës u miratua në 2018-n, ka rrëmbyer pjesën qendrore të parkut ikonik të Tiranës së viteve ’70, i ashtuquajturi “Lodrat e Elbasanit”. Të dyzet katet që do të ngrihen mbi një sipërfaqe prej 8 ha do ta shndërrojnë këtë hapësirë, historikisht të qetë, në një territor me densitet të lartë urban.
Një tjetër hapësirë me përmasa të ngjashme, e njohur si ish Parku i Autobuzëve, një nga më të mëdhatë që kishte mbetur e gjelbër, u shkëmbye në vitin 2017 me një leje ndërtimi e cila mundësoi aty ngritjen e një kompleksi pallatesh shumëkatëshe. Më herët, në 2015-n, një shumëkatësh i ri, me fasadë tërheqëse, rrëmbeu disa hektarë gjelbërim në krahun verilindor të Parkut të Madh të Liqenit Artificial të Tiranës. Në vazhdim, të tjera sipërfaqe të gjelbra të këtij parkut po shndërrohen në troje ndërtimi për ngritjen e disa qindra apartamenteve të reja.
Në dhjetë vitet e fundit, energji dhe përpjekje të veçanta po ushqejnë objektivin për ta shndërruar Tiranën në një qendër të fuqishme ekonomike dhe financiare për të gjithë Shqipërinë. Autoritetet po ndjekin disa rrugë për arritjen e këtij objektivi. Arkitektura e re është një përpjekje e dukshme, e cila reflekton pikërisht këtë ambicie. Por ngritja e ndërtesave po realizohet përmes një aksioni të dhimbshëm urbanistik që mbështetet kryesisht, në shkatërrimin, apo në tjetërsimin e hapësirave, veçanërisht të gjelbra, për të cilat ky qytet krenohej dikur.
Në vitin 2021, “Instituti për Zhvillimin e Habitatit” (Co-Plan), një prej organizatave më të mëdha në rajon, me qendër në Tiranë, publikoi monitorimin “Mushkëri të gjelbra”, që vinte në dukje kushtet mjedisore në të cilat jetonin kryeqytetasit. Studimi ishte rezultat i vëzhgimit urban i cili kombinoi përpilimin e një produkti hartografik, të furnizuar me të dhëna nga terreni, duke i krahasuar më pas me imazhet historike satelitore në platformën “Google Earth”. Ai konkludoi se humbja e sipërfaqeve natyrore brenda Unazës së Madhe të Tiranës shkonte në 526,000 m2.
“Në vitet e fundit Tirana po regjistron nivelin më të lartë të korracimit, krahasuar me vendet e Ballkanit Perëndimor”, – shprehet Rodion Gjoka, Kreu i Departamentit Mjedisor pranë Co-Plan. “Vlerësohet se 87% e qytetit të jetë e korracuar, – pa aftësi përthithëse për ujërat e shiut që infiltrojnë nëntokë”, vijon më tej ai.
Vitin e shkuar (2021) në Tiranë, autoritetet miratuan një sipërfaqe ndërtimi për ndërtesa të reja 8 herë më e madhe, krahasuar me sipërfaqen e miratuar në vitin 2016: vitin e fundit përpara miratimit të Planit të Përgjithshëm Vendor (TR 030). Në tre vitet e fundit, sipërfaqja e miratuar në Tiranë arriti në 4.2 milionë m2. Ende nuk është e qartë se në ç’raport mes tyre do të jenë sipërfaqet e betonizuara me ato natyrore pas realizimit të ndërtimeve.