Kastrati ‘kursen’ për parkingjet, qytetarët vuajnë trafikun në rrugë

5 May 2022, 19:09Investigim SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Kastrati ‘kursen’ për parkingjet, qytetarët vuajnë
Foto nga protesta e banorëve kundër kthimit të rrugës me një kalim

Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku e pranoi në mënyrë jo të drejtpërdrejt që shndërrimi i rrugës së Rinasit në njëkalimshme ka qenë një kërkesë e Shefqet Kastratit, që zotëron koncesionin e Aeroportit të Rinasit.

Voxnews.al denoncoi në një shkrim të mërkurën dyshimet se kjo ide mund të ishte hedhur nga Kastrati dhe shpjegoi përmes dëshmive të siguruara nga taksistët që e shfrytëzojnë shpesh këtë rrugë se burimi i trafikut në të vërtetë ishte rrethrrotullimi në hyrje të Aeroportit.

Për këtë, ministrja Balluku tha se ARRSh ka propozuar një zgjidhje emergjente për ndërtimin e një rruge provizore që do të çojë direkt në aeroport dhe parkingjet e aeroportit automjetet që kanë për destinacion Rinasin.

“Do të ndërtojmë aksesin që dërgon një pjesë të mirë të trafikut direkt në aeroportin e Rinasit për t’u parkuar në parkingjet që ndodhen sot rreth aeroportit, apo që do të ndërtohen nga koncesionari në të ardhmen me emergjencë, ashtu siç ne e kemi kërkuar”, tha Balluku.

Pra, sipas kësaj deklarate të ministres Balluku, parkingjet në Aeroportin e Rinasit janë të pamjaftueshme dhe për pasojë burim trafiku në rrugën e Rinasit. Për këtë, qeveria i ka kërkuar Kastratit që të ndërtojë me emergjencë parkingje të reja.

Por, që të gjehej kjo zgjidhje që detyron Kastratin të shpenzojë disa thërrime për parkingje nga të ardhurat që përfiton nga koncesioni u desh një vendim absurd që bllokoi qindra banorë dhe protesta për katër ditë me radhë prej tyre.

Ndërkohë, sa u takon udhëtarëve që shfrytëzojnë rrugën e Rinasit për të shkuar nën drejtim të Veriut, Balluku kërkoi mirëkuptimin e tyre dhe i ftoi që të përdorin rrugën nga Kamza, ose nga Vora.

“Automjetet që vijnë apo i drejtohen veriut, sugjerohet të kalojnë nga Kamza dhe Vora, për të mos penguar qytetarët që i drejtohen aeroportit “Nënë Tereza”, pasi kjo rrugë është ndërtuar nga koncesionari dhe është në shërbim të Aeroportit dhe të banorëve të zonës”, deklaroi Balluku.

Rinasi ka regjistruar këto ditë mbi 100 fluturime ditore, me rreth 15 mijë pasagjerë në ditë, ndërsa parashikohet rritje e mëtejshme e fluksit.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video