
Dyshimet se tenderat e laboratorëve, të sterilizimit dhe të sanitarizimit të spitaleve në Shqipëri vërtiten rreth një grushti të vogël kompanish e njerëzish të lidhur me njëri-tjetrin dhe pas të cilëve qëndron ish-deputeti dhe ish-ministri i Shëndetësisë i socialistëve, Ilir Beqaj shtohen dita-ditës.
Tenderi i fundit i organizuar nga Spitali i Traumës për shërbimin e lavanderisë është fituar nga kompania “Sanitary Cleaning” me një vlerë prej 13 mln lekësh. Kompania me zyra qendrore në autostradën Tiranë-Durrës rezulton e themeluar në dhjetor të 2014-s, kohë kur Ilir Beqaj ishte ministër i Shëndetësisë.
Kompania në fjalë zotërohet vetë nga dy kompani të tjera. 40 për qind të aksioneve të saj i ka kompania “Servizi Italia”, ndërsa 60 për qind të tyre kompania “Berinv B.V”. Lidhja e parë është kompania “Servizi Italia”.
Kjo kompani është aksionerja më e madhe në kompaninë tjetër “SaniService”, ku zotëron 30 për qind të aksioneve. “SaniService” në kohën e nënshkrimit të kontratës me vlerë 80 mln euro për koncesionin e sterilizimit përfaqësohej nga Ilir Rrapaj, një emigrant shqiptar në Itali dhe i dyshuar me lidhje me ish-ministrin e Shëndetësisë.
Për koncesionin e sterilizimit ka pasur akuza se po ofrohet nga koncesionari kundrejt një kostoje të paktën dhjetë herë më të lartë se sa kostoja reale e këtij shërbimi.
Lidhja e dytë kompania “Berinv B.V”. Kjo kompani rezulton e regjistruar në Holandë. Në maj të 2018, kjo kompani blen 60 për qind të aksioneve të kompanisë “Sanitary Cleaning”. Nga dokumentacioni i dorëzuar në QKR, për palën blerëse, pra kompaninë “Berinv B.V” dokumenti i transfertës është nënshkruar nga Tamara Alexandra Eleonora Wingelaar.
Tamara Alexandra Eleonora Wingelaar ka mbajtur për 10 ditë në 2018-n detyrën e drejtores ekzekutive të kompanisë “AB Laboratory Solutions”, që ka një tjetër koncesion në shëndetësi, atë të laboratorëve me një vlerë të majme prej 120 mln eurosh. Ajo u emërua në këtë detyrë në 11 qershor të 2018-s dhe është larguar më 21 qershor po të atij viti, duke i lënë vendin Konstantinos Karathanos.
Është e paqartë lidhja e Konstantin Karathanos me Janis Karathanon, përveç mbiemrit të njëjtë. Por, ky i dyti gëzon 75 për qind të koncesionit të laboratorëve me kompanitë Labopharma dhe AB Laboratory Solutions.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.