Parku i Butrintit është i pari sit arkeologjik e kulturor që do të menaxhohet nga Fondi Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit. Ministria e Kulturës e ka prezantuar si një projekt pilot dhe ambicioz që do të përmirësojë menaxhimin e parkut.
Por, Butrinti me sa duket është ‘çelësi’ i hyrjes së AADF-së edhe në zonat e tjera arkeologjike. Plani afatgjatë i menaxhimit të disa zonave në qytetin e Durrësit parashikon ndër të tjera përmirësimin, interpretimin dhe prezantimin e amfiteatrit e banjave romake dhe forumit bizantin.
Ideja e prezantuar nga arkitekti italian, Stefano Boeri parashikon gjithashtu ngritjen e një parku arkeologjik për banorët e qytetit të Durrësit dhe turistët.
Sipas planit të menaxhimit, objektivi kryesor i projektit është lidhja e bregdetit dhe portit të Durrësit me atraksionet kryesore turistike të qytetit, pasi shumë asete kulturore periferike janë ende të shkëputura dhe të vështira për t’u aksesuar për banorët dhe vizitorët, duke penguar kështu zhvillimin e plotë turistik.
Sipas projektit, AADF do të financojë dhe menaxhojë projektin e arkitektit Boeri, që gjatë periudhës së zbatimit duhet, sipas planit, të bashkëpunojë me Ministrinë e Kulturës dhe Institutin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore.
Në përshkrimin e bërë nga arkitekti Boeri thuhet se shumë prej veprave me rëndësi arkeologjike dhe historike janë ende nën tokë.
“Banjat romake njihen si monument kulture; ato shtrihen në një sipërfaqe prej rreth 700 metrash katrorë dhe përfshijnë disa dhoma, nga të cilat vetëm dy, kaldariumi dhe pishina, janë identifikuar me saktësi, ndërsa tepidariumi dhe frigidariumi mbeten ende nën tokë. Zona arkeologjike e forumit bizantin, e quajtur edhe “Rotonda”, përdorej si hapësirë publike për organizimin e panaireve dhe konferencave dhe mbulon një sipërfaqe prej përafërsisht 2530 metra katrorë. Ai përmban mbetjet e një portiku rrethor me një podium në qendër pjesërisht nën nivelin e rrugës, trotuareve dhe ndërtesave përreth”, thuhet në projekt.
AADF ka financuar prej disa vitesh tashmë edhe Parkun Arkeologjik të Butrintit, ndërsa siguroi edhe marrëveshjen me Ministrinë e Kulturës për të marrë menaxhimin e këtij parku. Nga opozita janë hedhur akuza se ky koncesion i hap rrugë ndërtimit të vilave dhe hoteleve në zona me rëndësi historike e trashëgimore.
Ndërkohë, në Durrës ky do të jetë financimi i parë i madh nga AADF, që nëse ndjek të njëjtin historik si Butrinti, mund të sigurojë disa vite më vonë edhe menaxhimin e këtij parku.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.