Në skenën politike dhe infrastrukturore të vendit po qarkullon një teori e re, e cila tenton të shpjegojë pse rrugët tona, pavarësisht buxheteve marramendëse, përfundojnë shpesh nën rrëshqitje dherash.
Bëhet fjalë për një modifikim drastik të atij që njihet si "Rregulli 80 me 20", i cili dikur shërbente si standardi i pashkruar i korrupsionit, por që sot duket se ka kaluar në një dimension tjetër.
Nga "vjedhja me masë" te "rrugët me tepricë"
Nëse i kthehemi rrugëve të periudhës së Sali Berishës, ekspertët dhe vëzhguesit vërejnë një detaj interesant: betonit nuk i mungonte hekuri.
Pavarësisht akuzave për abuzime, rregulli funksiononte me një lloj logjike "përmbajtësie".
Përafërsisht 80% e fondit shkonte realisht për rrugën, siç shihet në projektet Rrëshen-Kalimash apo Krrabë-Bradashesh, ndërsa 20% humbte në rrjetat e korrupsionit.
Rruga bëhej, qëndronte në këmbë dhe investimi ishte i prekshëm.
Kur rruga bëhet aksesor i korrupsionit
Gjatë qeverisjes socialiste, ky ekuacion duket se është përmbysur plotësisht.
Modifikimi i rregullit është sa i thjeshtë, aq edhe i dhimbshëm për xhepat e qytetarëve: tashmë vetëm 20% e fondit shkon për rrugën, ndërsa 80% "avullon" në skemat e korrupsionit.
Disa dosje prej të cilave gejnden ne SPAK.
Kjo shpjegon edhe cilësinë e dobët të punimeve që shohim çdo ditë, ku muret mbrojtëse çahen pas shiut të parë dhe dherat zënë rrugën sapo mbaron shiriti i inaugurimit.
20 Shkurt- shembet rruga Gjirokastër-Tepelenë

Reshjet e dendura të shiut shkaktuan rrëshqitje massive të dheut dhe gurëve në aksin rrugor “Gjirokastër-Tepelenë”.
Rrëshqitjet e dherave ndodhën në vendin e quajtur “Shkalla e Zezë” dhe qarkullimi funksionoi me një sens lëvizjeje.
Rruga Vllahinë–Poçem dëmtohet vetëm dy vite pas ndërtimi

Rruga Vllahinë–Poçem pësoi dëmtime të dukshme në një pjesë të konsiderueshme të gjatësisë së saj.
Asfalti i rrugës pësoi çarje të thella të cilat veshtirësuan qarkullimin e mjeteve.
Rrëshqitja shkëmbore bllokon aksin Kuc–Qeparo

Banorët dhe drejtuesit e mjeteve shprehen të shqetësuar pasi rruga ende nuk ka mbushur dy vite nga ndërtimi i saj.
Sipas tyre, dëmtimet ngrenë dyshime mbi cilësinë e punimeve dhe materialeve të përdorura, duke rrezikuar jo vetëm investimin publik, por edhe sigurinë e përdoruesve të rrugës.
Degradimi i rrugës Rruga Maliq – Lozhan – Moglicë – Gramsh

Rruga Maliq – Lozhan – Moglicë – Gramsh, e cila prej ditës së shtunë po shërben si aks alternativ për lidhjen e juglindjes me Tiranën, po përballet me dëmtime serioze në trupin e saj.
Përgjatë rrugës janë evidentuar plasaritje të thella në disa segmente, duke krijuar vështirësi të ndjeshme në qarkullim dhe rrezik të shtuar për drejtuesit e mjeteve.
Ky aks rrugor i ndërtuar nga “Gjikuria” sh.p.k dhe që ka kushtuar 14 mln euro (rreth 1.4 miliardë lekë), ka shfaqur problematika edhe më herët, por kohët e fundit amortizimi është përkeqësuar ndjeshëm.
Plasaritje e rrugës që lidh Lumin e Vlorës me Himarën
Një tjetër aks i rëndësishëm, që lidh Lumin e Vlorës me Himarën, ka pësuar çarje të reja, duke krijuar rrezik për qytetarët që duhet të qarkullojnë në këtë segment.
Sipas raportimeve, rruga është ndarë mes për mes në një pjesë të saj, duke bërë të domosdoshëm kujdes të shtuar për drejtuesit e automjeteve dhe banorët që kalojnë aty.
View this post on Instagram
Problemet me infrastrukturën rrugore në vend kanë nisur që vitin e kaluar, me dëmtime dhe shembje të pjesëve të aksit kryesor, ndërkohë që qytetarët ankohen se askush nga qeveria nuk ka marrë përgjegjësi për paralizimin e pjesëve të aksit dhe për rrezikun e vazhdueshëm.
Shembjet e masivit shkëmbor në aksin Qukës-Qafë Plloçë

Aksi rrugor Qukës-Qafë Pllocë, i konsideruar ndryshe si “rruga e florinjtë”, u inaugurua me shumë bujë nga qeveria.
Balluku dhe Rama inauguruan 5 muaj më parë rrugën, e cila kushtoi 260 milionë euro, por qysh në fillim rezultoi një dështim i propagandës.
Vetëm pak javë pas hapjes, aksi u përball me probleme serioze si pasojë e reshjeve të shiut që përfshinë juglindjen e vendit, pasi një masiv shkëmbor bllokoi një nga tre korsitë e vendit.
Në nëntor, një rrëshqitje masive e dheut dhe shkëmbinjsh bllokuan rrugën në afërsi evidentuar të tuneleve në aksin Qukës-Qafë Plloçë.
Një sipërfaqe e madhe mali u shkëput duke bllokuar totalisht aksin, çka detyroi ndërtimin e një bypass-i provizor.
Fill pas kësaj, vetëm disa javë më parë aksi rrugor u bllokua sërish nga rënia e një masivi shkëmbor dhe edhe sot kalimi bëhet nga bypass-i provizor, duke nxjerrë “aksin e florinjtë” jashtë funksionit.
Shembja e rrugës Librazhd-Pogradec

Shembjet dhe çarjet e asfaltiit në aksin Librazhd-Pogradec janë krijua prej thuajse 2 javësh, megjithatë autoritetet nuk e morën seriozisht situatën. Sot, aksi që lidh Tiranën me Juglindjen dhe anasjelltas, është i bllokuar totalisht duke paralizuar qarkullimin.
Shembjet janë serioze duke rrezikuar shtyllën e tensionit të lart që është në afërsi të saj, madje edhe urën, për të cilën ARRSH vendosi ta demontojë.
Problematikat në këtë aks kanë qenë të shumta, pasi në kohët me shira, ruga bllokohej nga dherat, masivet shkëmbore, çka e bënte të pakalueshme.
Spas ekspertëve, klientelizimi, vijon në gjithë hallkat e zinxhirit, pasi kompanitë apo inxhinierët që kanë për detyrë të merren me supervizionin gjatë kryerjes së punimeve, në mjaft raste përzgjidhen në kushtet e konfliktit të interesit.
Kështu, raportimet për volume dhe cilësinë e punimeve që raportohen në situacionet e kompanive janë të fryra, fiktive dhe jo në përputhje me projektet përkatëse.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016