Dënimi i Edison Memollës me një vit burg nga Gjykata e Posaçme ka bërë që Rrogozhina të mbetet pa kryetar bashkie.
Kjo bashki e qarkut të Tiranës tashmë duhet të zhvillojë sërish votime për të zgjedhurin vendor, ndërsa Prefekti i Tiranës duhet të çojë vakancën pranë Këshillit të Ministrave.
Do të jetë qeveria ajo që do të njoftojë Presidentin e vendit për mungesën e kryebashkiakut, teksa kreu i shtetit ka kohë 48 orë për të dekretuar datën e zgjedhjeve të reja.
Këto zgjedhje duhet të mbahen jo më herët se 30 ditë dhe jo më larg se 45 ditë që nga data e njoftimit të ndërprerjes së mandatit të kryebashkiakut.
Megjithatë, një skenar tjetër mbetet edhe ai i kryetarit të komanduar.

Këshilli Bashkiak i Rrogozhinës, ka të drejtën të komandojë një prej nënkryetarëve për të drejtuar institucionin vendor deri në datën e zgjedhjeve te rregullta.
Burime për VoxNews pohuan se Rrogozhina tashmë drejtohet nga nën/kryetari, Andi Proshka, ky i fundit është burri i vajzës së xhaxhait të Edison Memollës.
Por ajo që nuk kuptohet është se përse Këshilli i Ministrave nuk i dërgon vakancën, Presidentit Begaj.
Ndonëse sipas ligjit, Rrogozhina duhet të shkojë në zgjedhje vendore të parakohshme.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016