Paranoja e Çuçit me Gledis Nanon, po ministri kujt flamuri i shërben?

8 Shtator 2022, 21:50Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Bledi Cuci dhe Gledis Nano

Shënim: Në ceremoninë e betimit të Muhamet Rrumbullakut si drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi zbuloi tërthorazi se Gledis Nano nuk është shkarkuar për ‘mospërmbushje objektivash’, siç është arsyetimit zyrtar i dhënë.

“Z. Rrumbullaku ju sot do merni në dorëzim flamurin e organizatës, dhe unë dua të them që ne respektojmë shumë flamuj të vendeve të tjera, dikë më shumë e dikë më pak. Në një moment historie mund të ndodh që edhe të ndryshohen flamujtë që respektohen më shumë e më pak, por flamuri i vetëm për të cilin ne përulemi të gjithë, dhe për të cilin kanë dhënë jetën shumë shqiptarë të mirë, pëfshirë dhe përfaqësues të Policisë së Shtetit, dhe për të cilin besoj se çdo shqiptar i mirë është gati ta jap jetën, është flamuri me shqiponjën me dy krerë shqiptar”, deklaroi ministri Çuçi.

Por, cilin flamur vendosi Gledis Nano para flamurit shqiptar? Përgjigjen për këtë, Çuçi nuk e tha, por dihej marrëdhënia e ngushtë e ish-drejtorit të Policisë së Shtetit me Ambasadën Amerikane dhe partnerët ndërkombëtarë.

Megjithëse për një periudhë të shkurtër në detyrë, Nano u bë drejtori i parë i Policisë së Shtetit që të pritej në Uashington nga kreu i FBI-së, e po ashtu edhe në kryeqytetet më të mëdha europiane nga homologët e tij.

Takimet dhe raportet e ngushta të Nanos me ndërkombëtarët s’mund të interpretohen siç thotë ministri Çuçi, pra si ‘mosrespektim të flamurit kombëtar’, përkundrazi. SHBA, Gjermania, Italia dhe vende të tjera partnere kanë investuar ndër vite miliona euro për Policinë e Shtetit në Shqipëri për të ndihmuar në përpjekjet kundër kriminalitetit në përgjithësi, e sidomos krimit të organizuar në veçanti.

Kjo ndihmë e bën këtë marrëdhënie jo mundësi zgjedhjeje, por detyrë për çdo drejtues policie, por në radhë të parë për çdo ministër të Brendshëm. Nëse Bledi Çuçi ka zgjedhur që të mos ndërtojë një raport të sinqertë me ndërkombëtarët dhe arsyet për këtë s’i thotë, kjo s’kishte pse të pengonte Gledis Nanon që të bënte të kundërtën.

Megjithatë, Gledis Nano nuk është i vetmi punonjës policie që ‘përndiqet’ nga Qeveria e Edi Ramës për raportet me ndërkombëtarët. Në të shkuarën, Dritan Zagani që denoncoi te italianët se kushërinjtë e ministrit të Brendshëm drejtonin një rrjet trafiku hashashi për në Itali u padit, gjykua e dënua me akuzën e ‘dekonspirimit të operacioneve’.

Por, ajo çfarë rezultoi më vonë nga hetimi i palës italiane ishte se Zagani kishte të drejtë dhe se ish-ministri Saimir Tahiri, bashkë me kushërinjtë e tij janë sot në burg.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Video