Rikthimi si “polic” i Policisë së Shtetit, kush e mbushi me 'vaj kandilin' e Ardi Veliut?

7 September 2022, 18:32Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Rikthimi si “polic” i Policisë së Shtetit, kush e mbushi

Ardi Veliu është emëruar në krye të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, e njohur si ish-SHÇBA. Veliu zëvendëson në këtë post Muhamet Rrumbullakun, i cili u zyrtarizua në postin e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, detyrë që mbahej provizorisht nga Tonin Vocaj, pas shkarkimit të Gledis Nanos.

Veliu ka mbajtur më herët postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe së fundmi ka qenë zëvendësministër në Ministrinë e Infrastukturës dhe Energjisë.

"Kandilin" që ia fikën Ardi Veliut 10 muaj më parë, ia ndezën sërish me emërimin në krye të institucionit që monitoron punën e; Policisë së Shtetit.

Këtë emërim deputeti Flamur Noka tha se rikthimi i Veliut, është i rrezikshëm dhe provokativ, pasi ai është akuzuar për lidhje me krimin e organizuar dhe korrupsionin.

Reagimi i Rithemelimit:

Rikthimi i njërit prej përgjegjësve të kriminalizmit të Policisë në vendin e krimit, është një ogur i keq i kësaj qeverie për çdo shqiptar q ë kërkon rend, siguri dhe një polici në shërbim të qytetarëve. Ardi Veliu, ish-drejtori famëkeq i Policisë së Shtetit, është kthyer në strukturën policore. Ai do të drejtojë Agjencinë e Mbikqyrjes Policore e cila, siç sugjeron emri, do të kontrollojë policët për shkelje etike dhe ligjore.

Siç thotë populli: i varin ujkut zorrët në qafë. Ardi Veliu është kampion i shkeljeve etike dhe ligjore. Ai është kryepolici i akuzuar për lidhje me krimin e organizuar, me dorën deri në bërryl në qypin e korrupsionit.

Ardi Veliu, mbi të gjitha, do të kujtohet për korruptimin strukturor të Policisë së Shtetit. Me korruptim strukturur duhet të kuptojmë politizimin deri në palcë, duke e kthyer armën e Policisë në pisqollë të Rilindjes. Gjithashtu Veliu është kryepolici që infektoi policinë e shtetit me virusin e prekjes dhe përfshirjes në zgjedhje.

Me këto dy rekdore të zeza, Partia Demokratike paralajmëron se Ard Veliu është rikthyer, jo për ta mbikqyrur Policinë, por për tu siguruar se në zgjedhjet e ardhshme ajo do të jetë sërish dora e zgjatur dhe e pandëshkuar e Rilindjes në proces. Si dhe për të ruajtur lidhjet e vjetra me botën e krimit.

Ardi Veliu e ka mbi vete damkën e Elbasanit në zgjedhjet e shkuara. Jo vetëm peshën e një vrasjeje, por edhe prishjen e provave në vendngjarje. 

Riqarkullimi i Veliut nuk është thjesht kriza për kuadro të ndershëm në Polici, por filozofia e kryeministrit, ministrit dhe kësaj qeverie, sipas të cilëve monitorimi i Policisë u lihet të inkriminuarve.

Partia Demokratike e sheh si të rrezikshëm dhe provokativ këtë emërim. Duke e ndarë armën e policisë nga pisqollat e pushtetit, ne garantojmë, si policët e ndershëm, ashtu dhe opinionin publik, se të korruptuaritdhe vrasësit e mitit të shtetit, siç është Ardi Veliu, do të japin llogari për cdo përfshirje në korruptim dhe inkriminim’.

Si u fik dhe u ndez kandili për Ardi Veliun

Një vit më parë ministri Bledi Çuçi, me nota ironike shprehej se: “Do ta merrni vesh në momentin e duhur. Kur t’i mbarojë kandili”, u shpreh Çuçi pa e ditur se kandili i Ardi Veliut kishte ngelur pa vaj. 

Por duket se dikush e paska mbushur me vaj kandilin e Ardi Veliut duke e bërë “polic” i Policisë së Shtetit.

Gabimet drejtshkrimore në dorëheqjen e Ardi Veliut

Në letrën e dorëheqjes nga detyra të Drejtorit të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu shkruante se motivi i largimit të tij ishte përkushtimi ndaj familjes, për të cilën Veliu thoshte se i kishte munguar në këto 4 vite.

Por, më shumë se sa dorëheqja vëmendjen e mori  fakti që letra është shkruar me shumë gabime drejtshkrimore.

Sikurse shohim më poshtë në të tre paragrafët e letrës, mungon  shkronja “ë”  dhe shumë fjalë  janë të shkruara gabim.

Rikthimi si “polic” i Policisë së Shtetit, kush e mbushi

Emërimi

Kujtojmë se me vendim qeverie, Ardi Veliu u emërua Drejtori i ri i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP). Ky emërim vjen në vazhdën e ndryshimeve që janë bërë në qeveri.

Pak ditë më parë, Veliu u lirua nga detyra si zv.ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, teksa më herët ka qenë edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Ardi Veliu u emërua në detyrën e zv/ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë në nëntor 2021.

Nga 5 Shkurt 2018 deri në 5 Tetor 2021 ai ka mbajtur postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Në vendin e tij erdhi Gledis Nano, edhe ky i fundit i shkarkuar pak ditë më parë me vendim qeverie.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video