Ku u zhduk këshilltari i betejave madhore të Ilir Metës?

6 September 2022, 19:55Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Ku u zhduk këshilltari i betejave madhore të Ilir Metës?
Ilir Meta dhe Bledar Dervishaj

Shënim: Që nga 25 korriku, kur u çlirua nga detyrat presidenciale, Ilir Meta e ka vlerësuar në më shumë se një rast presidencën e tij si ‘mjaft të suksesshme në mbrojtje të demokracisë dhe interesave kombëtare’.

Si shembull ai ka sjellë betejat e panumërta ligjore me mazhorancën, nga gjykata e Tiranës, në Kushtetuese e deri te Komisioni i Venecias, që sipas Metës në të gjitha rastet ka dalë fitimtar.

Beteja e tij kulmoi me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të mos e shkarkuar, megjithëse gjeti shkelje kushtetuese, por trupa arsyetoi se shkeljet nuk kategorizoheshin si të rënda sa për të justifikuar shkarkimin e tij.

Meta e interpretoi si ngadhnjim mbi shumicën socialiste. Pas gjithë këtyre betejave ligjore të Metës, fytyra publike ishte e këshilltarit ligjor, Bledar Dervishaj.

Nëse një pjesë e mirë e bashkëpunëtorëve të ngushtë që pati në Presidencë, përfshirë këtu zëdhënësin Tedi Blushi iu bashkuan te Partia e Lirisë, Bledar Dervishaj, njeriu që mbajti peshën kryesore të përballjes ligjore me socialistët në presidencën e Metës nuk e bëri.

Në vend të kësaj, ai ka kandiduar për Avokat i Popullit dhe emri i tij është për shqyrtim në Kuvend. Shanset që të zgjidhet në këtë post janë të pakta, ndërsa Dervishaj vetë ka nënkuptuar se do të ushtrojë profesionin e avokatit, gjithsesi.

Por, pse kjo shkëputje e Ilir Metës me Bledar Dervishajn? Arsyeja, siç mëson Voxnews.al lidhet me raportin që Ilir Meta kishte ngritur me të në Presidencë. Burimet thonë se Meta ‘e trajtonte ashpër’, aq sa në një rast e ka sharë me fjalor rruge në korridoret e Presidencës.

Janë të paqarta rrethanat e tjera të këtij episodi, apo nëse Ilir Meta ka qenë esëll, apo nën efektin e alkoolit.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video