
Padia në Gjykatën Kushtetuese e Bordit të Çmimeve nga ana e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, tërthorazi tregoi se Sali Berisha është shumë larg marrjes së shumicës në këtë grup dhe gjasat janë që edhe këtë sesion parlamentar ta kalojë si ‘i dëbuar’.
Në këtë nismë, Alibeaj ka siguruar 29 nga 44 deputetët që janë zyrtarisht pjesë e grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Mes firmëtarëve janë edhe emra si Ervin Salianji, Grida Duma, por edhe Lulzim Basha.
Megjithatë, dërgimi i bordit në Kushtetuese nuk do të thotë apriori se firmëtarët e dokumentit janë mbështetës së Lulzim Bashës, por duke u nisur nga qëndrimet e zbutura të Berishës ndaj këtij bordi, nuk mund të thuhet as që mbështesin Berishën.
Berisha e ka sulmuar rrallë këtë bord, duke e cilësuar si ‘komunist’.
“Prej kohësh janë denoncuar bordet si institucione të së shkuarës sonë komuniste. Këto borde janë si shushunja që i pijnë gjakun dhe i fusin në depresion qytetarët me çmimet stratosferike”, deklaronte Berisha në një seancë plenare të fillimit të qershorit.
Ironikisht i njëjti term për bordet u përdor nga Edi Rama, madje në të njëjtën seancë plenare.
“Bordi është komunist dhe në kushtet e kësaj krize është një ndihmë psikologjike dhe financiare, se nuk mund të ndërhyjë shteti e të kontrollojë çmimet me dhunë. Bordi ka një meritë që të vendosë çmimin tavan dhe pastaj e llogarit me laps e letër”, shprehej ai.