Prishja e 'Prestige Resort', palët i nxjerrin të palarat njëri-tjetrit: Shiko fotot e Taulant Ballës në hotel!

2 September 2022, 13:28Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Prishja e 'Prestige Resort', palët i nxjerrin të palarat
Edi Rama në ambientet e “Prestige Resort” duke drekuar, nën shoqërinë e biznesmenit Behgjet Pacolli, Taulant Ballës, Arben Ahmetaj dhe vetë Hysenbelliut

Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka nisur sot një aksion për prishjen e pishinave në ambientet e resortit luksoz në Golem të Kavajës, “Prestige Resort”. Ky biznes është në pronësi të sipërmarrësit Irfan Hysenbelliu, njëherësh dhe drejtues mediash.

Drejtuesit e resortit akuzojnë se ndërhyrja e fadromave të IKMT-së është e paligjshme dhe nuk ka asnjë dokument. Drejtuesit kanë publikuar në media dhe lejen përkatëse për ndërtimet e bëra vite më parë, me firmë të vetë kryeministrit Edi Rama.

Mediat e Irfan Hysenbelliut kanë publikuar dhe një foto të kryeministrit Edi Rama në ambientet e “Prestige Resort” duke drekuar, nën shoqërinë e biznesmenit Behgjet Pacolli, Taulant Ballës, Arben Ahmetaj dhe vetë Hysenbelliut.

Prishja e 'Prestige Resort', palët i nxjerrin të palarat
Foto në resortin e Biznesmenit Irfan Hysenbelliu

Ditën e sotme ish-deputeti i Ramës dhe tashmë bashkëpuntori i sipërmarrësit Irfan Hysenbelliut, Alfred Peza në një komunikim për mediat tha se figura të njohura të politikës kanë qenë të pranishme në këtë resort, duke përmendur mes tyre dhe kryetarin e Grupit Parlamentar të PS, Taulant Ballën.

“Taulant Balla këtë vend e ka pasur si shtëpinë e tij, vinte më shpesh se pronari i resortit dhe nuk e di ku është sot. Të gjithë janë për zbatimin e ligjit, por kur ky resort është me leje , dhe shkatërrohet në mes të ditës me urdhër politik pa zbatuar as një ligj. Kur kjo i ndodh pronarit të këtij resorti gjithkush nga qytetarët shqiptarë sot duhet ë ndjehet më i frikësuar sa sa dje”, tha Peza.

Sali Berisha merr në mbrojtje Irfan Hysenbelliun

Sali Berisha ka komentuar aksionin e IKMT paraditen e sotme në Golem, ku u shembën dy pishina të resortit "Prestige", në pronësi të Irfan Hysenbelliut, pronar i disa mediave përfshirë edhe News24.  Gjatë një konference për shtyp, Berisha e cilësoi këtë ngjarje si "një sulm politik" që Edi Rama u bën "kritikëve". 

Duket se Berisha ka ndryshuar qëndrim ndaj Hysenbelliut, për të cilin pak muaj më parë, deklaronte se është "kapterr i Taulant Ballës që financon mediat me paratë e inceneratorëve". 

"Me ato që kam lexuar, konstatoj se Edi Rama ka urdhëruar shkatërrimin e pjesëve të resortit, në kundërshtim flagrant me ligjin.

Mbi të gjitha, ajo që dënoj me forcën më të madhe dhe nuk mund të pajtohem kurrë, sfondi politik i këtyre veprimeve. Janë të denueshme, janë anti-kushtetuese, janë anti-ligjore, përpjekjet për të shkatërruar një grup mediatik në kundërshtim me ligjet e vendit", tha Berisha.

Ndërkohë, Ministria e Brendshme deklaron se prishja e pishinave të resortit ka ndodhur për shkak se janë ndërtim pa leje dhe akuzojnë Irfan Hysenbelliun se po përdor mediat e tij, për shantazh dhe mburojë ndaj zbatimit të ligjit. 

Deklarata e Ministrisë së Brendshme: 

Sot strukturat e Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit kanë rifilluar operacionin "Bregdeti Ynë", i cili është ndërprerë gjatë muajve qershor, korrik dhe gusht, për të rinisur në shtator.

Ky operacion ka synuar rivendosjen e ligjshmërisë në bregdet dhe deri tani ka prishur 434 objekte të paligjshme në vijën bregdetare.

Ndërhyrja e sotme për rikthimin e rreth 4 mijë metrave katrorë rërë e det të kthyera në beton, përpara një resorti ku një pjesë e zhvillimeve edhe në brendësi të zonës së pishave janë ndërtime të paligjshme për qëllime fitimi, është trajtuar nga mediat e zotit Irfan Hysenbelliu si sulm ndaj linjës editoriale të tyre.

Nuk është hera e parë që mediat News24, BalkanWeb dhe Panorama synojnë të mbulojnë problemet e pronarit të tyre me ligjin, duke marrë rolin e viktimës së lirisë së shtypit.

Edhe më keq se kaq, këto media e kanë bërë mesa duket rrugë përdorimin e shantazhit, shpifjes dhe denigrimit ndaj autoriteteve shtetërore, sa herë zoti Irfan Hysenbelliu ka rënë në rrjetën e kontrolleve ligjore.

Pre e kësaj mënyre të ulët të keqpërdorimit të mediave si imunitet ndaj ligjit të pronarit, kanë rënë kohët e fundit drejtori i tatimeve dhe më pas drejtori i doganave.

Ata u kthyen në shënjestra fushatash denigruese të News24, BalkanWeb dhe Panorama, sepse agjencitë e të ardhurave të shtetit konstatuan një evazion fiskal me përmasa shqetësuese në biznese të lidhura me zotin Irfan Hysenbelliu.

Sot këto media e kanë nisur ditën me shantazhe, shpifje dhe me denigrimin e drejtores së sapoemëruar të Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit.

Ato kanë thënë se drejtori i këtij Inspektoriati paska dhënë dorëheqjen sepse ka kundërshtuar rifillimin e operacionit "Bregdeti Ynë" me pikërisht aksionin për çbetonizimin e plazhit dhe detit para resortit të zotit Irfan Hysenbelliu. Kjo është krejtësisht e pavërtetë.

Zoti Ajet Zyberi do të drejtojë operacionin e ri kombëtar të Task Forcës kundër lidhjeve të paligjshme të energjisë elektrike, i cili do të nisë javën e ardhshme pas shpalosjes së planit të qeverisë për të përballuar vjeshtë-dimrin në kushtet e krizës ndërkombëtare të energjisë.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video