Pse buzëqesh Lulzim Basha?

5 September 2022, 19:03Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Pse buzëqesh Lulzim Basha?
Lulzim Basha duke hyrë në seancën plenare

Shënim: Thuajse një vit pasi Sali Berisha nisi tërmetin në bazën e Partisë Demokratike që kulmoi me humbjen e thellë të PD-së zyrtare në zgjedhjet vendore të pjesshme të 6 marsit dhe me dorëheqjen e Lulzim Bashës, ky i fundit shfaqet më i buzëqeshur se kurrë në oborrin e Kuvendit.

Ish-kreu i PD-së, që zyrtarisht thuhet se është larguar dhe jozyrtarisht akuzohet nga mbështetësit e Berishës se qëndron pas rezistencës së Enkelejd Alibeajt në grupit parlamentar democrat në Kuvend, u shfaq i buzëqeshur në hyrjen e parë në Kuvend për këtë session parlamentar.

Basha hyri i vetëm në godinë, ku para se të ngjiste shkallët përshëndeti gazetarët e pranishëm për ndjekjen e rinisjes së punimeve të Kuvendit. Ai nuk foli para mediave, por ra në sy buzëqeshja e fortë që dha e që fshihte portretin e një politikani që e rrëzuan me pahir nga kryesimi i opozitës.

Buzëqeshja e Bashës në këtë kohë kur në parti figuron vetëm si deputet i thjeshtë i saj ngre disa mistere në ajër. Së pari, nga buron gjithë kjo hare? A është në dijeni Lulzim Basha të ndonjë vendimi të gjykatës së Tiranës, që do t’i jepte sërish partinë, të paktën vulën dhe siglën e saj, sepse për bazën është një tjetër temë?

Apo Lulzim Basha po shijon në distancë dhe larg gjithë ofiqeve që mbante sherrin e Ramës me Berishën, por sidomos me Metën? Me të dy ata, pra si Berishën, ashtu edhe Metën, Basha i ka hesapet ende të hapura. Berisha synon që ta largojë përfundimisht, Meta, për të cilin në 2017-n, Lulzim Basha deklaronte se ishte në krye të një ‘SHPK’-je, duke nënkuptuar LSI-në e fajëson për kapjen e opozitarizmit nga Edi Rama.

Lumturia e Bashës mund të burojë edhe nga nismat ligjore të shtyra në socialistët në Kuvend, ajo për hapjen e dosjeve dhe ajo për dekriminalizimin. Me të dyja synohet që të lihet jashtë Kuvendit dhe jashtë çdo zyre shtetërore ku emërohen e zgjidhen qytetarët, Ilir Metën, por nuk përjashtohen as përpjekjet për të bërë të njëjtën gjë edhe me Sali Berishën.

Teksa sheh në distancë i qetë kundërshtarët e tij politikë Brenda kampit opozitar që përplasen e harxhojnë energjitë e tyre me Edi Ramën, Lulzim Basha ndoshta po përgatitet për rikthimin. Se në ç’formë do të vijë ky rikthim, për momentin vetëm Basha e di. Por, rezistenca e Alibeajt në grupin parlamentar këtij qëllimi thuhet se po i shërben.

Pse buzëqesh Lulzim Basha?

Kjo mund të jetë arsyeja kryesore që fshihet pas buzëqeshjes së Lulzim Bashës, pa u përjashtuar mundësia që kjo buzëqeshje të jetë e rastësishme, apo e sforcuar pas të cilës qëndron ish-udhëheqësi i shlodhur me pushime të stërzgjatura që prej marsit, sa në Shqipëri, sa në Holandë.

Pikërisht në Holandë u fotografua së fundmi Basha, në shoqërinë e një bashkëshortje pranë një kompleksi në ndërtim. Ndoshta po mendon investimet në patundshmëri në Holandë, apo edhe pensionin e parakohshëm në këtë vend, nisur nga fakti që nëse nuk ja merr dot PD-në Berishës, vështirë se do të gjejë veten në listën e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e radhës, qofshin të parakohshme, qofshin në 2025-n.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video