Kur njoftoi vendimet e qeverisë këtë të mërkurë, zv.Kryeministrja Belinda Balluku u ndal gjatë te akti se si qeveria do të shndërrohej në një ‘Robin Hood’ duke u konfiskuar ndërtimet pa leje milionerëve për t’ua shpërndarë ato të pastrehëve.
Efektet e këtyre konfiskimeve mbeten për t’u mësuar në vijim, por ajo që dihet është se në mbledhjen e kësaj të mërkure, Qeveria ka ‘dorovitur’ sërish kompanitë e zotëruara nga emra të akuzuar si oligarkë.
Bëhet fjalë për vendimin që i jep me qiranë simbolike 1 euro 9 mijë metër/katrorë në një prej zonave më të lakmuara të bregdetit. Prona prej 9 dynymësh i është dhënë kompanisë ‘Gjikuria’ për zhvillimin e projektit “White Roads Hotel” në fshatin Gjilekë të Himarës.
Projekti për ndërtimin e një hoteli dhe 150 vilave në këtë truall është shpallur më herët si investim strategjik nga Komisioni i Investimeve Strategjike, megjithëse kompania Gjikuria është akuzuar për ndërtim pa leje në rrugën Orikum-Dukat.