Shkrimtari me origjinë indiane e shtetësi britanike dhe titullin “Sir”, Salman Rushdie, i cili u godit me thikë ndërsa ishte pjesëmarrës në një aktivitet në Nju Jork prej më shumë se 3 dekadash ka jetuar nën kërcënimin e vazhdueshëm të vdekjes.
Shumë nga librat e 75-vjeçarit kanë qenë jashtëzakonisht të suksesshëm, me romanin e tij të dytë, Fëmijët e mesnatës, që fitoi çmimin Booker në 1981.
Por ishte romani i tij i katërt, Vargjet Satanike, i botuar në 1988, që u bë vepra e tij më e diskutueshme - duke sjellë trazira ndërkombëtare të paprecedentë në përmasat e saj. Ndaj tij nisi furia e kërcënimeve me vdekje, përfshirë këtu një fatva nga Ajatollahu iranian. Ai u detyrua të fshihej pas publikimit të tij dhe qeveria britanike e vendosi nën mbrojtjen e vazhdueshme të policisë.
Britania e Madhe dhe Irani ndërprenë marrëdhëniet diplomatike, por në të gjithë botën perëndimore autorë dhe intelektualë denoncuan kërcënimin ndaj lirisë së shprehjes që vinte nga reagimi i besimtarëve myslimanëve ndaj librit.
Një fatva, ose dekret, që bën thirrje për vrasjen e romancierit u lëshua nga Ayatollah Ruhollah Khomeini, udhëheqësi suprem i Iranit në vitin 1989, një vit pas botimit të librit. Salman Rushdie ka lindur në Mumbai, dy muaj para pavarësisë së Indisë nga Britania e Madhe.
Në moshën 14-vjeçare, ai u dërgua në Angli në Shkollën e Rugbit, më vonë fitoi një diplomë nderi në histori në Kings College, Kembrixh. U bë shtetas britanik dhe hoqi dorë nga feja, që e kishte trashëguar familjarisht deri në atë kohë. Ai punoi shkurtimisht si aktor dhe më pas si autor reklamash, ndërsa shkruante romane.
Libri i tij i parë i botuar, Grimus nuk arriti sukses të madh, por disa kritikë e panë atë si një autor me potencial të konsiderueshëm. Rushdies iu deshën pesë vjet për të shkruar librin e tij të dytë, Fëmijët e mesnatës, i cili fitoi çmimin Booker në 1981, u vlerësua gjerësisht dhe u shit në gjysmë milioni kopje.
Ajo çfarë “Fëmijët e Mesnatës” kishte qenë për Indinë, romani i tretë i Rushdie “Turpi”, i botuar në 1983 përshkruante një Pakistan pothuajse të maskuar. Katër vjet më vonë, Rushdie shkroi “Buzëqeshja e xhaguarit”, një rrëfim i një udhëtimi në Nikaragua.
Në shtator të vitit 1988 u botua vepra që do t'i rrezikonte jetën, “Vargjet Satanike”. Romani surrealist post-modern shkaktoi zemërim te disa myslimanë, të cilët e konsideruan përmbajtjen e tij si blasfemi.
India ishte vendi i parë që e ndaloi atë. Pakistani ndoqi shembullin, ashtu si edhe vende të tjera myslimane dhe Afrika e Jugut. Romani u vlerësua në shumë qarqe dhe fitoi çmimin Ëhitbread për romane. Por reagimi ndaj librit u rrit dhe dy muaj më vonë, protestat në rrugë morën vrull.
Myslimanët e konsideruan atë një fyerje për islamin. Ata kundërshtuan - ndër të tjera - që dy prostitutave në libër u jepeshin emrat e grave të profetit Muhamed. Titulli i librit i referohej dy vargjeve të hequra nga Muhamedi nga Kurani, sepse ai besonte se ato ishin frymëzuar nga djalli.
Në janar 1989, myslimanët në Bradford dogjën ritualisht një kopje të librit dhe shitësit e gazetave u ndaluan ta shfaqnin atje. Rushdie hodhi poshtë akuzat për blasfemi.
Në shkurt, disa njerëz u vranë në trazirat anti-Rushdie, ambasada britanike në Teheran u qëllua me gurë dhe u vendos një çmim për ‘kokën e shkrimtarit’. Ndërkohë në Mbretërinë e Bashkuar, disa udhëheqës myslimanë kërkuan moderim, të tjerë mbështetën Ajatollahun iranian. SHBA, Franca dhe vende të tjera perëndimore dënuan kërcënimin me vdekje.
Rushdie, i fshehur me gruan e tij nën ruajtjen e policisë britanike, shprehu keqardhjen e tij të thellë për shqetësimin që u kishte shkaktuar myslimanëve, por Ajatollahu e ripërtëri thirrjen e tij për vdekjen e autorit.
Zyrat në Londër të Viking Penguin, botuesit, u piketuan dhe u morën kërcënime me vdekje edhe në degët në SHBA. Por, libri u bë një best-seller në të dy anët e Atlantikut. Protestat kundër reagimit ekstrem mysliman u mbështetën nga vendet e Perëndimit, të cilat të gjitha tërhoqën përkohësisht ambasadorët e tyre nga Teherani.
Por autori nuk ishte i vetmi person që kërcënohej për përmbajtjen e librit. Përkthyesi japonez i librit u gjet i vrarë në një universitet në veri-lindje të Tokios në korrik 1991. Policia tha se përkthyesi, Hitoshi Igarashi, i cili punonte si asistent profesor i kulturës krahasuese, u godit me thikë disa herë dhe u la në korridor jashtë zyrës së tij në Universitetin Tsukuba.
Në fillim të të njëjtit muaj, përkthyesi italian, Ettore Capriolo u godit me thikë në banesën e tij në Milano, megjithëse ai i mbijetoi sulmit. Dënimi me vdekje - fatva - kundër Rushdie pushoi së mbështeturi zyrtarisht nga Irani në 1998.
Librat e mëvonshëm të Rushdie përfshijnë një roman për fëmijë, “Haroun” dhe “Deti i tregimeve” (1990), një libër me ese, “Atdheu imagjinar” (1991) dhe romanet “Lindje, Perëndim” (1994), “Psherëtima e fundit e Maurit” (1995), “Toka nën këmbët e saj” (1999) dhe “Furia” (2001). Ai ishte i përfshirë në përshtatjen skenike të “Fëmijët e Mesnatës” që u shfaq premierë në Londër në 2003.
Në dy dekadat e fundit ai ka botuar “Kllouni Shalimar”, “Magjistarja e Firences”, “Dy vjet tetë muaj dhe njëzet e tetë netë”, “Shtëpia e artë” dhe “Kichotte”.
Rushdie është martuar katër herë dhe ka dy fëmijë. Ai tani jeton në SHBA dhe u shpall kalorës nga Mbretëresha e Anglisë në vitin 2007 për shërbimet e tij në letërsi. Në vitin 2012, ai botoi “Joseph Anton: A Memoir”, një rrëfim i jetës së tij në vazhdën e polemikave mbi Vargjet Satanike.