Si e votoi pro raportin e Dick Marty-t PD e Berishës në 2011-n

12 August 2022, 16:57Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Si e votoi pro raportin e Dick Marty-t PD e Berishës në 2011-n
Selia e Këshillit të Europës

Kuvendi i Shqipërisë njoftoi këtë të premte se kishte dorëzuar në Këshillin e Europës rezolutën e miratuar më 21 korrik, ku dënohen si të rreme e sajesa gjetjet e raportit të Dick Marty-t për krime lufte nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Por, thuajse 11 vite më parë, në Asamblenë e KiE-së, Shqipëria votonte pro raportit. Asambleja miratoi në 25 janar 2011 me 166 vota pro dhe vetëm 8 kundër rezolutën me të cilën kërkonte hetime për trafikimin e organeve në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë, siç ka akuzuar në raportin e tij deputeti zviceran, Dick Marty.

Pikërisht në bazë të kësaj rezolute u ngri më pas edhe Gjykata Speciale, ku po gjykohen sot Hashim Thaçi dhe ish-drejtues të tjerë të UÇK-së. Shqipëria u përfaqësua në këtë asamble nga tre deputetë. Por si e gjykuan ata raportin e Marty-t? Shpëtim Idrizi, përfaqësues i PDIU ishte një nga 8 personat që votuan kundër.

“Raportuesi nuk është prokurori, por ai nuk është as Dan Broën, ndaj do të them diçka më të arsyeshme. Në raportin e tij, nuk gjendet asnjë emër i një personi të vdekur, organet e të cilit janë hequr. Le të themi se dëshmitarët që janë gjallë janë të frikësuar, po të vdekurit? Përse mungojnë në këtë raport?”, tha Idrizi.

Edhe përfaqësuesi i PS, në atë kohë në opozitë, Damian Gjiknuri votoi kundër raportit.

“Fatkeqësisht, duhet të pranojmë se ky raport vetëm ka shtuar më shumë probleme politike dhe mister në rajon dhe nuk ka siguruar asgjë të re dhe me rëndësi. Nuk ka prova të përshtatshme dhe në shumë raste, duket si një opinion politik sesa një raport hetimor”, deklaronte ai.

Përfaqësuesi i PD, Ilir Rusmajli ishte i vetmi anëtar i delegacionit shqiptar që votoi pro raportit.

“Çfarëdo qofshin pretendimet, ato nuk duhen përdorur për të nxjerrë konkluzione të nxituara, ose të pabaza. Ato nuk duhet t’i hapin rrugë dënimit kolektiv grupeve specifike, forcave politike, apo edhe kombeve. Në këtë aspekt, ftoj raportuesin dhe anëtarët e nderuar të votojnë me mua”, deklaronte Rusmajli.


Video