Udhëzimi i Ibrahimajt për bashkitë: Merruni xhiron ditore bizneseve që nuk paguajnë taksat

9 August 2022, 16:57Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Udhëzimi i Ibrahimajt për bashkitë: Merruni xhiron ditore
Foto ilustruese

Një pjesë e madhe e bashkive janë ankuar se e kanë të vështirë që të mbledhin nga subjektet tatimore taksat vendore që aplikojnë. Për ta zgjidhur këtë problem, ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj ka nxjerrë një udhëzim, që thotë se unifikon procedurat e standardet e mbledhjes së detyrimeve të prapambetura në të gjitha bashkitë.

Mes të tjerave, udhëzimi autorizon administratat tatimore vendore të bashkive që me urdhër të kryetarëve të tyre të sekuestrojnë më shumë se gjysmën e xhiros ditore të subjekteve debitore.

“Administrata tatimore vendore, mbështetur në nenin 89, pika 2, të ligjit nr. 9920, datë 19.5.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, mund të angazhojë strukturat e saj për të verifikuar dhe monitoruar në vend aktivitetin tregtar të taksapaguesit, me qëllim konfiskimin në fund të çdo dite të një shume jo më pak se 50 për qind të qarkullimit të realizuar, por jo më shumë se detyrimi i taksave dhe tarifave vendore për të cilat kanë filluar masat shtrënguese. Taksapaguesi njoftohet paraprakisht se do të fillojë verifikimi dhe monitorimi në terren i aktivitetit tregtar të tij”, thuhet në udhëzim.

Urdhri për të konfiskuar në fund të çdo dite një shumë jo më pak se gjysmën e qarkullimit ditor të realizuar por jo më shumë se detyrimi tatimor, lëshohet nga titullari i bashkisë, ose drejtuesi i strukturës së taksave e tarifave vendore, kur kjo e fundit është e organizuar si njësi shpenzuese më vete.

Mes të tjerave udhëzimi i Ministrisë së Financave përcakton edhe mundësinë e shlyerjes me këste të detyrimeve të prapambetura, por pa falur as kamatëvonesat as interesat të tjera që burojnë nga këto vonesa.

Udhëzimi përcakton gjithashtu edhe rastet kur ndaj taksapaguesit debitor bëhet kallëzim penal në gjykata për të kërkuar ndalimin e largimit të tij nga vendi pa shlyer detyrimet e prapambetura në tatime.

“Kur struktura përkatëse e taksave dhe tarifave vendore konsideron se pagesa e taksave dhe tarifave vendore është në rrezik dhe ndodhet përpara rasteve, kur: - taksapaguesi është vështirë të gjendet ose kërkon të largohet nga vendi; - taksapaguesi kërkon që nëpërmjet likuidimit, falimentimit të shmangë pagesën e detyrimeve;- taksapaguesi kërkon të kryejë transferim të shumave të parave nga llogaria e tij, me qëllim shmangien e pagesës së detyrimeve; - taksapaguesi kërkon të shesë/transferojë aktivet ose kapitalet e shoqërisë për të shmangur pagesën e detyrimeve; apo - arsye tjera të ngjashme të dokumentuara. Mund të propozojë për kallëzim për ndjekje penale, për marrjen e masës së sigurimit personal, sipas nenit 233, të Kodit të Procedurës Penale”.

Gjithashtu, në udhëzim parashikohen edhe bllokimi i llogarive bankare, bllokimi e deri te sekuestrimi i pasurive e të mirave materiale të tjera të biznesit debitor.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video