Në truallin dhe godinën e stërmadhe shtetërore, ku aktualisht është Qendra e Shërbimeve Arsimore dhe më parë ka qenë Agjencia Telegrafike Shqiptare apo Ministria e Mjedisit, do të ndërtohet një kullë gjigande. Qeveria ka hapur tenderin për t’ia dhënë truallin dhe godinën një firme private, ku në këmbim do të marrë një përqindje nga ndërtimi.
Por, ajo që bie në sy është se kjo pronë shtetërore, ngjitur me Bulevardin “Zhan Dark”, shumë afër me qendrën, do të kthehet në një godinë e stërmadhe, e cila pritet që të administrohet nga firma private.
Ende nuk ka detaje se si do të ndahet prona, por ajo që bie në sy është se privati do të ndërtojë plot 87 mijë m2, me një kosto plot 110 milionë euro. Duke parë edhe vlerën e lartë të metrit katror, atëherë fitimet që do të marrë privati do të jenë të jashtëzakonshme.
VoxNews ka siguruar dokumentet e shpallura nga Korporata e Investimeve Shqiptare, e cila shkruan se ka hapur procedurën “ndërtimi dhe menaxhimi i Kompleksit Governativ”. Titulli i kontratës është “zhvillimi nëpërmjet sipërmarrjes i VOID Tower”, në godinën e truallin e ish-ATSH, ngjitur me Lanën dhe shumë afër qendrës së Tiranës.
“Projekti i investimit synon të transformojë hapësirat dhe godinat e vjetra shtetërore që shfaqin aktualisht shenja amortizimi, degradimi dhe infrastrukturë të vjetëruar, jo bashkëkohore dhe ku kushtet ekzistuese tregojnë nevojën për të përmirësuar cilësinë e pronave. Interesi publik që përndjek projekti i investimit konsiston në përmirësimin e kushteve të punës së funksionarëve publikë, si dhe në energjizimin e qytetit duke sjellë zhvillimin e zonave urbane ku ndodhen pronat” thuhet edhe në këtë dokument, ashtu si edhe projekti te godina e Kadastrës.
Më tej thuhet se projekti realizohet nëpërmjet një modeli partneriteti, ku Korporata ka rolin e zhvilluesit dhe ndërmjetësuesit midis institucionit publik që ka interes të zhvillojë pronat e tij dhe të përfitojë godina bashkëkohore dhe partnerit privat, që posedon burimet financiare, njerëzore dhe kapacitetet ekzekutive dhe ka interes në realizimin e projektit të investimit.
Korporata shkruan se po zbaton projekt-idenë arkitekturore të bashkimit të subjekteve “Andrea Kaputo & Focus Architecture & OpenFabric & James Beckett”. Janë dy kulla në një sipërfaqe të madhe, ku në foto duket si qendër tregtare dhe apartamente sipër. Kulla quhet “Void Tower”, teksa Korporata shkruan se tani do të fillojnë fazat e konkurrimit për përzgjedhjen e Partnerit Privat, ajo e kualifikimit dhe përzgjedhjes.
Firma private ka disa kushte, ku Korporata shkruan se kërkon angazhimin që në ndërtesën VOID Tower, të zhvillohet plotësisht projekt-idea arkitekturore e Kompleksit Governativ në pronën për zhvillim publik, sipas lejes së zhvillimit. Kërkohet angazhimi për të lidhur me Korporatën kontratën e sipërmarrjes dhe marrëveshjeve shoqëruese të saj, në përfundim të procesit të përzgjedhjes.
“Ofertat e paraqitura nga kandidatët në këtë fazë duhet të plotësojnë kriterin bazë, i cili është 45% (dyzet e pesë përqind) dhe do të vlerësohen me kriterin përzgjedhës, i cili është: Përqindja më e lartë e sipërfaqes përkatëse e ofruar për Korporatën në ndërtesën VOID Tower mbi kriterin bazë. Shpallet fituese oferta që ofron vlerën më të lartë të kësaj përqindje”, thuhet në këtë dokument.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.