Gjykata Kushtetuese do të shqyrtojë më 19 nëntor jo vetëm vlerësimin nëse mund të përdoren si prova përgjimet e siguruara nga aplikacionet e kriptuara Sky dhe Encorchat, por edhe një nen të një ligji të reformës në drejtësi në lidhje me përgjimet.
Avokatët që kanë çuar në Gjykatën Kushtetuese Sky Ecc, kanë paraqitur një shtesë në ankimim, ku kërkojnë që krahas shqyrtimit për ligjshmërinë e aplikacionit SKY, të shfuqizohen edhe dispozita të nenit 42 të ligjit për organizimin dhe funksionimin e SPAK-ut, që vë në përgjim gjyqtarët dhe prokurorët e posaçëm.
Gjykata Kushtetuese ka pranuar të marrë në shqyrtim edhe këtë kërkesë në datë 19 nëntor. Në arsyetimin e tyre, avokatët pohojnë se vënia nën përgjim e gjyqtarëve dhe prokurorëve i bën ata të shantazhueshëm.
Sipas nenit 42 të ligjit për organizimin dhe funksionimin e SPAK, gjyqtarët dhe prokurorët e posaçëm janë nën monitorim të vazhdueshëm nga një njësi e veçantë e ngritur në Byronë Kombëtare të Hetimit.
Ligji cakton një oficer përgjegjës për mbikëqyrjen e tyre, që kryen vëzhgimin periodik të telekomunikimeve të kryetarëve, gjyqtarëve dhe punonjësve të gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, drejtuesit, prokurorëve dhe punonjësve të Prokurorisë së Posaçme, Drejtorit, Zëvendësdrejtorit dhe hetuesve të Byrosë Kombëtare të Hetimit, oficerëve të shërbimeve të Policisë Gjyqësore, si dhe punonjësve të Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Dispozitat parashikojnë gjithashtu se oficeri i mbikëqyrjes kontrollohet nga një prokuror i posaçëm që zgjidhet çdo muaj me short dhe oficeri i posaçëm raporton çdo informacion që ngre dyshime për veprimtari korruptive, apo kriminale te ky prokuror.
Në rastet kur oficeri i Byrosë Kombëtare të Hetimit dyshon se prokurori i posaçëm i gatshëm është përfshirë në veprimtari kriminale, raportimin mund të zgjedhë që ta bëjë te një prokuror tjetër i posaçëm.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.