Arrestimi i Jurgis Çyrbjas, një nga zyrtarët kryesorë të Partisë Socialiste në Durrës ka zbuluar dhe njëherë mënyrën sesi ndikohet drejtësia shqiptare. Gazetari Elton Qyno ka botuar sot një artikull që ka për protagonist disa personazhe, mes tyre edhe një prokuror dhe një personazh të drejtësisë, i quajtur “OLS” i cili në hetimet e deritanishme të SPAK nuk është identifikuar.
Bisedat janë zhvilluar në aplikacionin “Sky ECC” në muajin Janar 2021, kohë kurë Altin Hajrit i ishte arrestuar kunati, Julian Gjoshi me armë zjarri nga Forcat Shqiponjat.
VOX News është thelluar që në nisjen e kësaj historie për të kuptuar si përputhen bisedat e “SKY ECC” me veprimet dhe procesin hetimor dhe përballjen gjyqësore të Gjoshit.
Më 19 Janar, Shqiponjat prangosin Gjoshin. Julian Gjoshit iu gjet një armë zjarri pistoletë. Kunati i Altin Hajrit ishte i dënuar njëherë më parë për të njëjtën vepër penale, që rrjedhimisht do të sillte rëndimin e situatës së tij para ligjit.
Por çfarë ndodh?
Fill pas arrestimit, në Sky ECC, Çyrbja dhe Altin Hajri nisin planin për ta liruar. Mes tyre ka një sërë bisedash ku Hajri i kërkon ndihmë, , pasi siç i shkruan ai në “Sky”, “…e mytën kalamajt, daja…”.
Në këtë moment, Qyno raporton se është një personazh i drejtësisë, funksionar i lartë, mik me Çyrbjan që e ndihmon për të patur një situatë më të favorshme në gjykatë. Për të kuptuar ndërhyrjet në sistemin e drejtësisë, nuk mjafton vetëm lirimi nga akuzat por edhe ndërmjetësimi dhe mbyllja e një sy e të një veshi.
Më 21 janar, Gjoshi do të njihej me masën e sigurisë së caktuar për të.
Natën e arrestimit, Altin Hajri i kërkon Jurgis Çyrbjes që pistoleta e kapur të prishej, për të mos identifikuar predhat dhe qitjet e mundshme që ishin bërë me të.
Prokuror i çështjes ishte caktuar H.M dhe VOX News zbuloi se bëhet fjalë për prokurorin H.M.
Altin Hajri i shkruan në “Sky” Jurgis Çyrbes si më poshtë vijon:
"…kan kap kunotin tim me pistoletë... Mos bëjmë naj gjë. Është kunati me gjith atë “bolin” që rrin aty ke unë. Paktën ta maj një dali nji, shif naj “arrest shpia”. Sa lek dun veç ta qisim. Me fol direkt, se dun kap tani. Se mos bëjnë provën. Japim 10 mijë euro veç të na e prishi atë mrrokllën (Pistoletën)...”.
Ajo që i interesonte të fortit të Shijakut ishte prishja e pistoletës, për të mos zbuluar dot ngjarje kriminale ku mund të ishte përdorur pistoleta por edhe një masë sigurimi më e butë për kunatin e tij.
Më tej Altin Hajri, vijon t’i shkruajë Jurgis Çyrbes duke i thënë:
“…se arma qeka veç për gishtat...se po se marove ti s’kam kujt me i thën, me veç prish gjëlponën. Kërkoje vëlla, sa lek të dojn veç du t’ja maroj se më mytën kalamajt daja…. Jepi 20 mijë euro sa dojn ai, veç ta mbarojë…. Më 21 del në gjyq. Faleminderit dhe prej teje, të fala bëj Mikut tat Olsit…”.
Dhe në këtë moment, “Olsi” ka bërë lehtësimin e pozitës për Gjoshin, pasi në 21 janar 2021, ashtu siç shkruan Hajri në “Sky”, Julian Gjoshi ka dalë para gjykatës për tu njohur me masën e sigurisë.
Më 21 janar 2021, prokurori H.m i kërkoi gjykatës një masë arresti me burg me afat 21 ditë. Prokurori megjithëse ishte koshient se arma ishte luftarake dhe pa lejë, ndryshoi qëndrim gjatë zhvillimit të seancës gjyqësore për Julian Gjoshin, ku nga qëndrimi fillestar “arrest në burg” pa afat që kërkoi para gjyqtarit A.M, ndryshoi në një qëndrim të dytë në “arrest në burg” me afat 21 ditë.
Ky ndryshim qëndrimesh, për caktimin e masës së sigurisë ndaj të arrestuarit Julian Gjoshi, u argumentua nga prokurori me arsyen deri në daljen e rezultatit të aktit të ekspertimit balistik të pistoletës së sekuestruar nga policia.
Në këtë situatë, gjyqtari A.M., pranoi kërkesën e prokurorit. Pas kësaj, Hajri falenderon Çyrbjan për mbylljen e problemit të kunatit të tij.
Altin Hajri i shkruan Jurgis Çyrbes sikur të ishte një rrobaqepës jo si një person në kërkim nga policia, ku pasi e falënderon për ndihmën e madhe që i ka dhënë për kunatin e arrestuar, kërkon nga Çyrbja masat trupore për një person, mikun e tij të quajtur “Ols”, i cili sipas bisedës ka dhënë një ndihmë të çmuar në zgjidhjen e këtij rasti të arrestimit të kunatit me armë pa lejë.
“…Ok shum mirë ke bë, meri masat me stil t’ja mar, ja dy Kustume…"-i shkruan Jurgis Çyrbes, personi në kërkim Altin Hajri.
Ndër të tjera personi në kërkim Hajri i shkruan, Jurgis Çyrbjas, si më poshtë vijon:
"…ma kanë dhonë fjalën, veç po presin një letër porosi dhe jam “ok” vëlla. Ka mundësi ai se është burri mirë ky tani, që është Ministër vlla. E ka shum shok me than shife vet aman, se më prishin shumë punë, se po i rregulloj ishalla këtë muaj që vjen. Dhe Ols, e ka bo punën e vet vëlla, thuaj faleminderit shum thuj…. Mos harro se e ka bo punën e vet se i kishte thonë avokatit, është porosia shefit. Për Ols vëlla, plus ka qën ke avokati vet 2 herë, e ka bo punën e vetë. A kupton ça po të them. Për atë mikun tat që pate shku ti po të them takoje, thuj falemindërit dhe më bjerë masat t’i boj nja dy kustume që t’ja çosh. Po për zotin është porosia shefit, kishte thënë avokati i kishte thon dum avokat po për zotin e mall e ka bë të vetën. Më tha avokati, e ka bo si burrat ai tha se ai nuk përzihet tha, se avokati e ka robin e vet ai, rrofsh vëlla. Shif aman të bojnë ca ndryshime këtu ke lagja dhe ja dy vene tjera që ti marim 100 për 100. Ok shum mirë ke bë, meri masat me stil t’ja mar, ja dy Kustume…".
Por në datën 2 shkurt 2021, përmes aktit balistik Nr. 1159 të kryer nga Instituti i Policisë Shkencore, është konkluduar se arma pistoletë që ju kap të arrestuarit Julian Gjoshi, ishte në gjëndje teknike e rregullt dhe kryente qitje normale. Kërkesa e Hajrit që armës ti prishej gjilpëra nuk u realizua. Nëse Policia e Shtetit do të ishte korruptuar, nderi i Olsit përmes prokurorit të çështjes do të ishte përmbyllur me shpalljen të pafajshëm të Gjoshit.
Ishte ky konkluzion shkencor që detyroi prokurorin H.M, që në datën 9 shkurt 2021 ka kërkuar caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg” për të arrestuarin Julian Gjoshi, kunatin e Altin Hajrit.
Ndërkohë që një ditë më pas në datën 10 shkurt, gjyqtari i Tiranës A.M, ka pranuar kërkesën e prokurorit duke lënë në burg Julian Gjoshin. Ky vendim në 19 Prill 2021 është lënë në fuqi dhe nga Gjykata e Apelit Tiranë.
Nuk ka kaluar shumë kohë dhe në muajin qershor 2021 çështja hetimore kundër Julian Gjoshit është dërguar në gjykatë për akuzën e “Mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve” dhe “Drejtimit të mjetit në gjendje të dehur”.
Dosja është marrë në shqyrtim nga gjyqtarja Shefkie Demiraj. Julian Gjoshi ka hyrë në këtë proces me gjykim të shkurtuar dhe prokurori i Tiranës H.M në pretencën e tij ka kërkuar para deklarimin fajtor dhe dënimin përfundimtar të Julian Gjoshit me 4 vjet burgim për dy akuzat e mësipërme.
Në 23 dhjetor 2021, gjyqtarja Shefkie Demiraj, vendosi të pranojë pretencën e prokurorit, duke dënuar me 4 vjet burg Julian Gjoshin, kunatin e Altin Hajrit.
Por në ndryshim nga prokurori, gjyqtarja Demiraj vendosi të aplikojë nenin 59 të Kodit Penal, duke urdhëruar pezullimin e vuajtjes së dënimit me burg, duke e liruar nga qelia Julian Gjoshin dhe vënë atë në shërbim prove me kushtin që gjatë një periudhe 3 vjeçare ai të mos kryejë asnjë vepër penale.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.