Kryetarja e Bashkisë së Bulqizës, Festime Mjeshtri, ka pranuar se ka shkelur me të dyja këmbët ligjin, në lidhje me dhënien në përdorim të një sipërfaqeje plot 85 hektarë në zonën e Martaneshit, ku një nga përfituesit është edhe ish-deputeti Ardit Kaja. Vox News ka denoncuar disa javë më parë skandalin e Festimes, e cila pa bërë më parë asnjë dëgjesë apo konsultë me banorët e zonës, vendos që të japë në përdorim këtë sipërfaqe për park fotovoltaik, një eksponenti të mazhorancës.
Skandali thellohet edhe më tej, duke qenë se vetë Bashkia e Bulqizës e ka shpallur fituesin e ankandit, madje njoftimi i fituesit është publikuar në Agjencinë e Prokurimit Publik, teksa tani bën edhe formalisht këtë dëgjesë, vetëm e vetëm që të plotësojë letrat dhe të jetë në rregull me institucionet ligjzbatuese apo edhe ato kontrolluese. Por, dokumentet dhe faktet janë mbi tavolinë, ku Festimja me këtë veprim “pas pilafit” rrezikon një hetim të mundshëm nga Prokuroria e Posaçme, njësoj si paraardhësi i saj në atë detyrë.
Në atë bashki janë mësuar që t’i bëjnë gjërat pa bërë dokumentet, madje bëjnë edhe ndërtime të veprave publike pa shpallur fituesin e tenderit, apo bëjnë kanalizimet e ujërave të bardha dhe të zeza disa herë. Janë mësuar se, influencat e partisë janë më kryesore sesa letrat e procedurave të vetë shtetit, teksa me këto veprime sfidojnë gjithkënd. Por, kësaj herë Festimes i ka mbetur “sharra në gozhdë”, pasi që prej denoncimit të këtij skandali, ka tentuar që të veprojë tinzar, teksa precedenti i HEC-it po në Martanesh e rëndon së tepërmi.

Disa javë pas denoncimit të Vox News, Bashkia e Bulqizës ka bërë një njoftim të beftë dhe të shkurtër në faqen e saj në internet. “Njoftim! Bashkia Bulqizë fton të gjithë banorët, biznese dhe grupe interesi në dëgjesën publike që do të zhvillohet më 02.04.2026, në orën 16.00, Njësia Administrative Martanesh. Dëgjesa publike do të zhvillohet në kuadër të ‘dhënies në përdorim të sipërfaqeve pyjore dhe kullosore’ nëpërmjet ankandit. Ju mirëpresim!”, thuhet në këtë njoftim.
Por, a nuk janë miratuar të gjitha vendimet e Bashkisë së Bulqizës për këtë ankand? A nuk ka firmosur vetë Festimja që një sipërfaqe e madhe prej 85 hektarësh, kullotë në Martanesh, t’i jepet privatit? A nuk kanë firmosur zyrtarët e tjerë, madje të kenë shpallur edhe firmën fituese, ku pjesë të aksioneve ka edhe Ardit Kaja, ish deputet dhe prefekt i Dibrës? Përse do ta bëjnë tani dëgjesën?
Duket një përpjekje e dëshpëruar e Festimes apo zyrtarëve të tjerë për të mbuluar të gjithë çorbën që kanë gatuar. Por, banorët e Martaneshit e kanë treguar se janë të organizuar, të paktën në mbrojtje të pronave të tyre, njësoj siç vepruan edhe me ndërtimin e një HEC-i, që devijonte ujërat nga baseni i Matit në basenin e Drinit, në kundërshtim flagrant me ligjin. Njëjtë edhe në këtë rast, ku asnjë institucion qoftë qendror apo lokal nuk ka denjuar që t’i pyesë, ose më keq akoma, i pyet tani që i kanë bërë të gjitha letrat.

Vox News ka denoncuar në vijimësi këtë skandal, ku kryetarja e bashkisë u vu totalisht në dispozicion të një ish-deputeti, të dy brenda së njëjtës forcë, por në dëm të një komuniteti shumë të madh, i cili deri në momentin e këtij denoncimi nuk kishte asnjë ide se një sipërfaqe e stërmadhe prej 85 hektarësh në fshatin Malcu, Njësia Administrative Martanesh, po tjetërsohej.
Pak ditë më parë, Vox News investigoi dokumente zyrtare të Bashkisë Bulqizë, e cila njoftonte se kishte shpallur fituese një kompani për pronën gjigante. Ndërkohë, redaksia jonë siguroi të tjera dokumente ekskluzive, nga e njëjta bashki, të cilat duket se janë “qepur” totalisht për eksponentin tjetër brenda mazhorancës, Ardit Kaja dhe ortakët e tij, teksa ish-deputeti duket se ia kishte vënë syrin zonës prej shumë kohësh.
Dokumentet që ka siguruar Vox News janë në fakt një dosje e gatshme për Prokurorinë e Posaçme, ku do të gjejë përqindjen e aksioneve apo edhe vendimet e miratimet me shpejtësi të Festime Mjeshtrit për dhënien në përdorim të kësaj prone të stërmadhe. Redaksia jonë ka siguruar dokumente të brendshme të Bashkisë së Bulqizës, të cilat janë të gjitha me emrin, firmën dhe vulën e Festimes.
Në fund të vitit të kaluar, Bashkia e Bulqizës dhe vetë Festimja miratuan me shpejtësi një projekt vendim “për miratimin në parim të dhënies në përdorim për ndërtimin aerogjenerator, fotovoltaik (stacionet, bazamentet dhe objektet përkatëse, në pasurinë me sipërfaqe totale 85.9 ha)”. Sipas saj, afati i dhënies me qira është mbi 10 vite me të drejtë rinovimi, sipas periudhës të përcaktuar në projekt dhe studimit të fizibilitetit të dorëzuar nga kërkuesi në konkurrim.
Në dokumente është shkruar mjaft qartë se prona është “kërkuar” nga firma ku aksioner është ish-deputeti dhe ish-prefekti i Dibrës, teksa veprimet e mëvonshme të Festimes apo edhe të vetë vartësve të saj, janë tepër të dyshimta. Në të gjithë dokumentet që ka siguruar redaksia jonë nuk ka asnjë konsultë me banorët vendas, nuk ka asnjë informacion për ta apo edhe për Njësinë Administrative Martanesh. S’ka asnjë shpallje ankandi në zonë. Gjithçka në heshtje, pasi bëhet fjalë për një plaçkitje.


Ajo që bie erë në gjithë këtë histori është shpejtësia e veprimeve të vetë Festime Mjeshtrit, e cila ka sigluar një tjetër dokument për t’ia dhënë Kajës këtë sipërfaqe. Po në datën 27 tetor 2025, disa minuta pasi u dha edhe projekt vendimi, Festimja i vuri emrin, firmën dhe vulën e saj një tjetër dokumenti, që bën fjalë për studimin tekniko-ekonomik për dhënie në përdorim të sipërfaqes në përdorim nga fondi pyjor dhe kullosor të sipërfaqeve në pronësi publike të Bashkisë Bulqizë.
Të gjithë janë vënë në “radhë” nga kryetarja, pasi për vetëm 5 ditë, nga urdhri me numër 491 i datës 22 tetor 2025, deri në datën 27 tetor, arritën të përpilonin një “mal me letra”. Gjatë këtyre 5 ditëve, të gjithë zyrtarët hartuan dokumentet përkatëse për tjetërsimin e pronës me sipërfaqe prej 85.9 hektarësh. Grupi i punës përbëhej nga Arben Mera, përgjegjës i administrimit të pyjeve dhe Besnik Cukali e Ali Mirku, specialist të pyjeve.
Por, cila ishte kompania përfituese?!
Pak ditë më parë, Vox News publikoi dokumentin e shpalljes së fituesit të ankandit fiktiv të shpallur nga Bashkia e Bulqizës. “Vlera e shpallur fituese është 11.467.650 lekë/vit. Ofertuesi i shpallur fitues është subjekti ‘ALB-ML Solar Energy Investment’”, thuhej në dokumente.

Sipas dokumenteve që disponon Vox News, kompania “ALB- ML Solar Energy Investment” është themeluar në muajin korrik të vitit 2025, nga Latif Miha, ish-deputeti e prefekti Ardit Kaja dhe Saimir Jakimi. Kapitali i kompanisë është vetëm 100 mijë lekë, ndërsa Miha zotëron 60 % të shoqërisë, teksa Ardit Kaja dhe Saimir Jakimi zotëron secili nga 20 % të firmës.

Vox News ka mësuar se një nga ortakët e kësaj shoqërie, Ardit Kaja, ka lidhje të forta me pushtetin. Ai ka qenë në vitin 2017 Prefekt i Dibrës, ndërsa më parë ka qenë drejtor i Përgjithshëm në Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës. Gjithashtu ka qenë edhe kryeinspektor i INUK, në Bashkinë e Tiranës në vitet 2010-2011. Ndërkohë, ai ka qenë për një legjislaturë edhe deputet i Kuvendit të Shqipërisë dhe më pas, drejtor i Zyrës së Punës në Dibër.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016