Ambasadorja e SHBA-ve në Athinë vizitë misterioze në Kryeministri/ Historiani i njohur: Ja kush ishte biznemeni që e shoqëronte!

15 Mars 2026, 13:41Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Ambasadorja e SHBA ne Greqi, Kimberly Guilfoyle/ Biznesmeni grek, Aleksandër Eksarku/ Kryeministri, Edi Rama

Vizita e papritur në Tiranë e ambasadores së Shteteve të Bashkuara në Greqi, Kimberly Guilfoyle, dhe takimi i saj me kryeministrin Edi Rama ka ngritur pikëpyetje dhe diskutime në media, pasi takimi u zhvillua pa njoftim paraprak zyrtar.

Ambasadorja mbërriti në Kryeministri në një vizitë të konsideruar nga disa media si “misterioze”, ndërsa nuk pati deklaratë të detajuar nga institucionet për arsyen e takimit.

Vizita u bë publike vetëm pasi u publikuan pamje të mbërritjes së saj në zyrën e kreut të qeverisë.

Historiani i njohur Arben Llalla, ka zbuluar se në prapaskenë të këtij takimi është emri i biznesmenit grek, Aleksandër Eksarku.

Ambasadorja e SHBA-ve në Athinë vizitë misterioze në
Historiani Arben Llalla

Ai është një nga figurat e njohura të sektorit të infrastrukturës dhe energjisë në Greqi dhe drejton kompani që operojnë në projekte të mëdha në Ballkan.

"Exarchos" mund të ketë pasur rol në organizimin ose ndërmjetësimin e takimit, për shkak të interesave të kompanive të tij në projekte infrastrukturore dhe energjetike në rajon, përfshirë edhe Shqipërinë.

Ambasadorja e SHBA-ve në Athinë vizitë misterioze në
Aleksandër Eksarku

Megjithatë, për këtë pretendim nuk ka pasur konfirmim zyrtar nga institucionet shqiptare apo amerikane.

Takimi mes Ramës dhe Guilfoyle është lidhur me projekte strategjike energjetike në rajon, përfshirë diskutimet për infrastrukturën e gazit dhe investime të mundshme në sektorin energjetik në Ballkan.

Pavarësisht interesit të madh mediatik, detajet e plota të këtij takimi mbeten ende të paqarta, ndërsa institucionet nuk kanë dhënë një sqarim të plotë mbi qëllimin e vizitës së ambasadores amerikane në Tiranë.

Media greke e lidhin takimin e ambasadores amerikane me kryeministrin Rama, me zhvillimet në sektorin energjetik në rajon.

Energymag” e ka lajmëruar këtë vizitë që disa ditë më parë, pasi në datën 8 mars është publikuar një artikull se ambasadorja do të udhëtonte në Tiranë.

Sipas artikullit të publikuar në median greke, qëllimi i vizitës është mundësia e ndërtimit të një terminali lundrues për gazin e lëngshëm natyror (FSRU) në Shqipëri.

Një projekt i tillë do të kishte rëndësi për furnizimin me gaz të rajonit dhe për rolin e vendeve të Ballkanit në rrjetin energjetik evropian.

Raportimi thekson se zhvillimi i infrastrukturës për LNG është kthyer në një çështje strategjike, veçanërisht pas tensioneve në tregjet globale të energjisë dhe përpjekjeve të Evropës për të diversifikuar burimet e furnizimit me gaz.

Media greke vërejnë gjithashtu se diskutimet për një projekt të mundshëm LNG në Shqipëri vijnë në një moment kur Greqia synon të forcojë rolin e saj si qendër rajonale për importin dhe shpërndarjen e gazit, përmes projekteve si terminalet LNG dhe rrjetet e interkoneksionit.

Çfarë është terminali lundrues për gazin e lëngshëm natyror?

Një FSRU (Floating Storage and Regasification Unit) është një terminal lundrues që përdoret për të importuar dhe përpunuar gazin e lëngshëm natyror (LNG).

Ai zakonisht është një anije e pajisur me rezervuarë të mëdhenj ku ruhet gazi i lëngshëm që mbërrin me cisterna nga vendet prodhuese.

Në këtë platformë gazi ruhet në temperatura shumë të ulëta dhe më pas përmes pajisjeve të posaçme kthehet sërish nga gjendja e lëngshme në gaz.

Pas këtij procesi, gazi dërgohet përmes tubacioneve drejt rrjetit energjetik të vendit ose të rajonit.

Terminalet e tilla konsiderohen zgjidhje më të shpejta dhe më fleksibël se ndërtimi i terminaleve të përhershme në tokë dhe përdoren shpesh për të rritur sigurinë energjetike dhe për të diversifikuar burimet e furnizimit me gaz.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016


Video