
Mediat qenë ndër të parat që, që në fillim, i kushtuan hapësirë të gjerë çështjes së ashtuquajtur të sterilizimit. Ato ngritën akuza dhe artikuluan pretendime shumë përpara se të shpreheshin organet e drejtësisë, SPAK dhe GJKKO.
“Papritur”, disa media u rikthyen sërish të enjten te koncesionet në shëndetësi, pikërisht një ditë pasi GJKKO rrëzoi akuzën e SPAK për “grup të strukturuar kriminal” në procesin penal që lidhet me kontratën e sterilizimit.
Shkak për këtë rikthim u bë investigimi mbi furnizimin e pamjaftueshëm me barna për shërbimin e onkologjisë. Mungesa e barnave është një çështje serioze, me ndjeshmëri të lartë publike, dhe si e tillë kërkon trajtim me përgjegjësi të plotë, jo përdorim të njëanshëm për qëllime të tjera shpërqëdrimi përgjegjësie.
Megjithatë, edhe këtë herë, përgjegjësia u orientua sërish drejt kontratave koncesionare dhe, në mënyrë të drejtpërdrejtë, drejt Ilir Beqajt si firmëtar i tyre.
Por, Ilir Beqaj nuk është më ministër i Shëndetësisë prej nëntë vitesh. Kur u largua nga detyra, në vitin 2017, buxheti vjetor i shëndetësisë ishte rreth 400 milionë euro. Në vitin 2026, ky buxhet është dyfishuar, duke arritur në 800 milionë euro.
Po ashtu, shpenzimet vjetore për katër kontratat koncesionare në vitin 2025 kanë qenë 2.9 miliardë lekë, ndërsa për vitin 2026 janë programuar 1.6 miliardë lekë. Pra, diferenca prej 1.3 miliardë lekësh, ose rreth 13 milionë euro, që këtë vit nuk do të shkojë te ata që quhen rëndom “oligarkë”, meriton një pyetje këmbëngulëse: për çfarë do të përdoren këto para? A do të kanalizohen ato për të mbuluar nevojat për barna onkologjike?
Një tjetër fakt që nuk mund të anashkalohet është se kontrata koncesionare e sterilizimit përfundon më 8 mars 2026. Për të është e pavlerë të flitet ende.
Sa i përket kontratës koncesionare të laboratorëve, dihet publikisht se ajo është hartuar me asistencën e IFC-së. Po aq e njohur është edhe se, në momentin kur Ilir Beqaj u largua nga posti i ministrit, komisioni përkatës ende nuk e kishte përfunduar procesin e vlerësimit dhe as shpalljen e fituesit. Kjo kontratë u miratua vetëm në vitin 2019.
Dhe pikërisht këtu lind pyetja thelbësore: nëse tri kontrata koncesionare u firmosën drejtpërdrejt nga ministri i Shëndetësisë, pse kontrata e katërt, ajo e laboratorëve, u miratua me vendim të Këshillit të Ministrave? Pse titullari i vitit 2019 e ngriti këtë vendimmarrje në nivel qeverie? Ishte ky një detyrim procedural, një zgjedhje politike, apo një mënyrë për të shpërndarë përgjegjësinë?
Dy përgjigje vijnë afërmendsh.
Së pari, për shpërndarje përgjegjësie politike dhe administrative. Një kontratë që miratohet me VKM, nuk mbetet vetëm barrë e ministrit/es, por bëhet vendim i ekzekutivit.
Së dyti, për mbrojtje procedurale. Në praktikë, një kontratë e ndjeshme shpesh ngrihet në nivel qeverie kur kërkohet një bazë më e fortë formale, sidomos kur pritet debat publik ose kontroll i mëvonshëm.
Dhe përveç kësaj, ministrja ia delegoi nënshkrimin e kontratës sekretarit të përgjithshëm.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016