
Ndërtimi i rrugëve në Shqipëri ka qenë një nga gangrenat më të mëdha, teksa abuzimet po duken sheshit me shembje segmentesh, çarje asfalti, prishje urash e gjithçka tjetër. Dhe, në gjithë këtë situatë, ja ku vjen një tjetër rast tepër i dyshimtë, në rrugën e re që po ndërtohet Kombinat–Ndroq–Plepa, ku qeveria “shpërblen” firmat ndërtuese.
Situata në terren është e nderë, teksa kur bie shi i gjithë aksi mbushet me baltë dhe kur ka diell mbushet me pluhur. Por, kjo s’e ka penguar drejtorin e ri të Përgjithshëm të Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ami Kozeli, një i besuar i ish-ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, që t’i shtojë fondet firmat fituese, atyre që po zvarrisin e zvarrisin të gjithë procesin.
Ditët e fundit, ARRSH ka nxjerrë një njoftim në Agjencinë e Prokurimit Publik ku shkruan se ka bërë një modifikim të kontratës, më saktësisht ka akorduar një vlerë shtesë të tenderit të lotit të parë, të tenderit me objekt “rikonstruksion i rrugës së vjetër Kombinat – Ndroq - Plepa, loti 1”.
Autoriteti shkruan se fondi limit i kësaj shtese të kontratës është plot 113.444.943 lekë, ose rreth 1.2 milionë euro. Por, nëse jepet një fond shtesë, si është gjendja në terren?!
Vox News ka mësuar se 5 kilometrat e para nuk përfunduar para vitit 2026, ose në fund të vitit të kaluar, siç ka deklaruar edhe ish-ministrja Balluku. Rruga filloi që të ndërtohej në vjeshtën e vitit 2024, teksa gjatësia e tij është rreth 30 kilometra.
“Afati kontraktual është në muajin maj të vitit 2026, por synimi ynë është që këto 5 kilometrat e para t’i përfundojmë natën e vitit të ri. Rruga do të kalojë nga një rrugë rurale në një rrugë të kategorisë C, me dy korsi qarkullimi dhe shpejtësi nga 50 deri në 100 km/orë” tha Balluku.
Aktualisht në kilometrat e para të këtij loti, vijon të ketë punime të papërfunduara, me gropa të mëdha e gjithçka tjetër të pa realizuar.

Por, sa kushton e gjithë rruga dhe veçanërisht loti i parë që u dha një shtesë fondi?
Vox News ka mësuar se kostoja totale për rikonstruksionin e rrugës së vjetër Tiranë – Ndroq – Plepa është 87 milionë euro, teksa gjatësia e aksit është 28 kilometra. Lotin e parë e ka fituar BOE “ARIFAJ” & “EUROKOS HOLDING”.
Fondi limit i këtij loti, për 5 kilometra rikonstruksion, ka qenë 754 milionë lekë, ose rreth 7.6 milionë euro. Firmat fituese ofruan 567 milionë lekë, ose rreth 5.7 milionë euro. Pavarësisht se kostoja e rehabilitimit të 1 km shkonte më shumë se 1.1 milionë euro, madje edhe me një rrugë me dy korsi, sërish fituesit kërkuan shtesë fondi.
Tashmë, me fondin shtesë, kostoja ka shkuar më shumë se 1.4 milionë euro për 1 kilometër. S’bëhet fjalë për një rrugë të re, por për rehabilitimin e asaj ekzistuese!
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016